Më shumë gra në ekip, Basha: Do e çojmë përpara betejën për çlirimin e Shqipërisë

Lulzim Basha u shpreh i bindur se me ekipin e ri, që ka më shumë gra si kurrë më parë në poste të rëndësishme, betejën për çlirimin e Shqipërisë do ta çojnë përpara.

“Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për çlirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.

Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me çdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.

Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese“, tha Basha.

SHKARKO APP