”Medalje e Artë” për 162 gjimnazistë ekselentë, Rama: Prova që asgjë nuk e pengon njeriun kur është i vendosur për sukses
162 gjimnazistë nga e gjithë Shqipëria që kanë përfunduar gjimnazin me vlerësim 10 absolute, morën këtë mbërmje “Medaljen e Artë” në një ceremoni të organizuar në Kryeministri, ku i pranishëm ishte edhe Edi Rama. Kreu i qeverisë e konsideroi këtë ceremoni si një nga momentet më të bukura të përditshmërisë së tij. Kryeministri vlerësoi gjimnazistët për punën e bërë dhe nivelin ku kanë arritur.
”Është një nga ato momente që janë jashtëzakonisht të nevojshme sepse të jepet mundësia që përmes pranisë së disa njerëzve të panjohur, të rinj të marrësh një energji të posaçme, të marrësh një ajër të freskët dhe të marrësh një inkurajim të madh.
Është prova që asgjë nuk mund ta pengojë njeriun kur ai/ajo është i vendosur të arrijë atë që synon. Jam i sgurt që mes jush ka vajza dhe djem që do të ishin të justifkuar nëse nuk do kishin arritur këto rezultate.
Jam i bindur që ka familje ndër tuajat, ku realisht punohet shumë dhe nuk është e lehtë të mendosh qetësisht fundin e muajit. Rastësisht isha me një djalë aty edhe e pyeta nga je, tha jam nga Burgajeti i Matit, goxha larg nga këtu. Dhe ai është këtu sot”, tha kreu i qeverisë.
Fjala e plotë
Mirëmbrëma dhe mirë se erdhët këtu edhe jam i bindur që të paktën e një pjesë e juaja e dinë që unë flas shumë shkurt, por realisht, sot nuk do t’ju mbaj edhe më gjatë në këmbë. Ju keni ardhur këtu për të marrë certifikimin e Medaljes së Artë dhe vete medaljen mua nëse ju merr malli gjë që është pak e ngjarë, më keni në televizor, facebook, instagram.
Kujdes kur hapni frigoriferin se dhe aty mund t’ju dal. Pra keni alternativa të ndryshme. Dua vetëm t’ju them me shumë sinqeritet, po me shumë sinqeritet, ky i ceremonisë së medaljeve të arta është një nga momentet më të bukura të jetës sime të përditshme në këtë godinë.
Është një nga ato momente që janë jashtëzakonisht të nevojshme kur bën këtë punë që unë bëj, sepse të jepet mundësia që përmes pranisë së disa njerëzve të panjohur të rinj, të marrësh një energji të posaçme. Të marrësh, një ajër të freskët dhe të marrësh një inkurajim të madh pasi sipas meje të arriturit të nivelit te lartë të shkëlqimit që ne e përdorim me fjalën jo tamam shqip tamam shqip “ekselencës” është prova që asgjë nuk mund ta pengojë njeriun kur ai është i vendosur ose ajo është e vendosur të arrijë atë që synon dhe e them sepse mendoj gjithmonë kur ndodh kjo ceremoni që jam i bindur që mes jush ka vajza dhe djem, familjet e të cilave nuk kanë kushte optimale.
Jam i bindur që mes jush ka vajza dhe djem që do të ishin të justifikuar nëse nuk do të kishin arritur këto rezultate. Dhe jam i bindur që ka familje ndër tuajat ku realisht punohet shumë dhe nuk është e lehtë të mendosh qetësisht fundin e muajit.
Rastësisht isha me një djalë aty dhe e pyeta nga je dhe më tha jam nga Burgajeti i Matit që është një fshat goxha larg nga këtu dhe ai është këtu sot. Në Burgajet të Matit apo në pika të tjera të Shqipërisë ju mund t’i gjeni të gjitha justifikimet për të thënë “nuk ia vlen, nuk ia vlen të shkosh në shkollë se është larg”, “nuk ia vlen të mësosh se në fund fare askush s’të jep një dorë kur s’të njeh”, “nuk ia vlen të rrish në këtë vend se ky vend nuk bëhet” dhe për dikë që gjendet në rrethana të vështira këto edhe janë të kuptueshme, por as ai, asnjëri dhe asnjëra nga ju nuk i kanë hyrë këtij shtegu, por i kanë hyrë një shtegu tjetër. Një shtegu shumë më të vështirë padiskutim. Po ja ku jeni këtu dhe ia keni dalë të provoni, në radhë të parë për veten, pastaj edhe për prindërit tuaj, se juve nuk ka asnjë gjë që ju ndalon dhe se ju majën ku keni vendosur të arrini në këtë fazë të jetës suaj e keni arritur.
Medalja juaj e artë është gjëja më e jashtëzakonshme që ju mund të çonit në shtëpi për prindërit tuaj dhe kaq edhe sikur kaq mjafton sipas meje që ju të ndiheni të përmbushur për kohën e shkurtër që keni patur se keni akoma dhe një kohë të gjatë përpara në këtë rrugë të përkohshme që na është dhënë të gjithë të kalojmë nga kjo botë.
Se nuk është kaq e zakonshme që fëmijët në moshën tuaj të arrijnë t’i bëjnë prindërve një dhuratë si kjo që juve iu bëni sot. Është e jashtëzakonshme. Është prekëse. Është e admirueshme dhe është një motiv shumë i mjaftueshëm për t’iu thënë që ju jeni heronj.
Sepse nuk është një dhuratë e përgatitur me sa do mundim as për një javë, as për një muaj e as për një vit. Por është një dhuratë e përgatitur me vite të tëra, çdo ditë, çdo orë mësimi dhe respekte dhe natyrisht që kjo nuk është vetëm për prindërit tuaj, është edhe për vendin tuaj, vendin tonë.
Ju jeni prova, ashtu si cilido prej jush ka arritur në nivelin më të lartë deri tani, se keni të tjera nivele të larta për të arritur, por deri tani. Ashtu edhe çdo kush tjetër, mund të arrij nivelin më të lartë në atë fushën e tij, ashtu edhe Shqipëria mund të arrij nivelin më të lartë, nuk ka asnjë arsye jashtë nesh. Arsyet janë të gjitha brenda nesh. Prandaj pavarësisht se unë mesa më rezulton është njëri atje, por dua ta shoh nga afër, jam më i gjati këtu, unë përpara jush sot dhe besojeni këtë gjë, ,ndihem më i shkurti. Pse? Sepse vërtetet unë kam bërë atë timen për të ngjitur të përpjetën, por ju kam shumë zili se juve e keni të gjithë të përpjetën përpara dhe e keni të gjithë jetën përpara për të arritur në maja që vetëm ju i dini dhe mbase nuk keni kurojo t’i ndani me shumë njerëz se mund t’ju marrin për kukull, por të jeni të sigurt dhe të sigurta që do t’i arrini. Ju e keni kaluar provën, më të vështirën. Në kohën më të rrezikshme, të moshës. Kështu që me kurajo dhe vendosmëri shikoni vetëm përpara, ngjituni vetëm më lart, përballni të gjitha përqeshjet e atyre që i dinë të gjitha dhe prandaj rrinë ulur dhe që thonë, “nuk shkohet atje”. Dhe ju vendoseni dhe do të shkoni atje.
Këtu e mbylla unë këtë fjalë, duke ju falënderuar shumë edhe për qëndrimin në këmbë se faktikisht është hera e parë që ne bëjmë një ceremoni të tillë në këmbë por ky nuk është për të thënë të drejtën në këtë rast faji jonë, është faji juaj se jeni bërë shumë këtë vit dhe si gjithmonë më shumë vajza se djem, por këtë herë më shumë djem se sa herët e tjera!
Shumë respekte! Me shumë mirënjohje për këtë që keni bërë sepse kjo që keni bërë ju është shumë përtej jush, shumë! Natyrisht ju se keni bërë që kjo të jetë përtej jush, por kjo është shumë përtej jush!