Media e madhe franceze: Krimi i organizuar dhe korrupsioni, dy fusha ku Shqipëria shkëlqen
Ovacionet dhe duartrokitjet për historinë e suksesit me reformën në drejtësi po ia lënë vendin kritikave dhe skepticizmit. Dhe si gjithmonë përpara institucioneve ndërkombëtare, sinjalet e alarmit i jep shtypi perëndimor. Një gazetar i njohur francez, reporter i madh i të përditshmes prestigjioze të së djathtës, Le Figaro, Thierry Portes që ishte javën e shkuar në Shqipëri i ka kushtuar një artikull asaj që nga diplomatët e kanë konsideruar si reforma e reformave.
“Ndërkohë që popullata është e zemëruar nga ngadalësia e procedurave dhe shfaq padurim për të parë më në fund goditjen ndaj banditëve të famshëm, krimi i organizuar dhe rrjetet e korrupsionit – dy fusha në të cilat Shqipëria shkëlqen, janë të vetmet që përfitojnë nga një reformë që supozohej se do ti ndëshkonte”.
Pasi jep një pamje të përgjithshme të asaj që ka ndodhur me reformën, që prej vitit 2016 duke cituar njërin prej zbatuesve të saj Sokol Sadushi, që justifikohet se ky proces “ka më shumë anë pozitive sesa negative” gazeta flet edhe për mosarritjet e SPAK.
Prokuroria Speciale nuk ka dashur të flasë me gazetarin francez. Ai shkruan: “Eshtë e vërtetë që SPAK do të diskreditohej përfundimisht nëse një prej të goditurve të tij të parë nuk do të qe një pjestar i elitës politike, në mënyrë që popullatës ti rikthehej besimi tek drejtësia”.
Pasi përshkruan në detaje të gjitha gropat dhe institucionet e paplotësuara që ka lënë peshqesh reforma në drejtësi, Le Figaro i mer të mirqena akuzat se kullat e tiranës po shërbejnë për pastrimin e parave të drogës. “Dhe për sa kohë që të përzgjedhurit e rinj të reformës nuk do të vendosin ligjin dhe drejtësinë rrokaqiejt që pastrojnë paratë e drogës dhe korrupsionit do të vazhdojnë të ngrihen në qiellin e Tiranës”, e mbyll shkrimin e tij reporteri i madh, Thierry Portes.