Media gjermane: Rindërtimi do kushtojë 1 miliard euro, deri tani janë mbledhur 15 mln

Televizioni publik gjerman, ARD, raporton se procesi i rindërtimit pas tërmetit do jetë një sfidë e shtrenjtë për Shqipërinë. “Shifra zyrtare nuk ka akoma, por rindërtimi në zonat e prekura nga tërmeti do jetë një sfidë e madhe jo vetëm njerëzore dhe teknike, por edhe e shtrenjtë”,- raporton ARD.

Media gjermane shton se rindërtimi mund të kushtojë deri në 1 miliardë euro. “Dhe me Shqipërinë është goditur një vend i varfër. Ekspertët atje thonë se rindërtimi mund të kushtojë deri në 1 miliard euro. Shumë njerëz dhe kompani në Shqipëri dhe jashtë kanë dhuruar para. Deri tani janë mbledhur 15 milionë euro. Një komision i posaçëm do bëjë vlerësimin dhe kanalizimin transparent të këtyre parave për shkak se korrupsioni është problem i madh në Shqipëri”.

ARD raporton se qeveria shqiptare shpreson te mbajtja e një konference donatorësh. Në kronikë thuhet se qeveria shqiptare po shpreson te ekspertët e huaj për vlerësimin e dëmeve. “Kjo për shkak se në Shqipëri mbizotëron një mungesë e theksuar ekspertësh dhe force punë të specializuar”,-raporton ARD.

Rrjeti gjerman ka vizituar edhe dy familje të dëmtuara që thonë se qeveria nuk është dukur fare. Kurse sa i përket Durrësit, ARD thekson se duket se ndërtimet ishin më të larta nga sa duhen lejuar.

Ekspertë shqiptarë kanë folur me shifra paraprake duke deklaruar dëme rreth 500 milionë euro. Por harta e zonave të dëmtuara po zgjerohet çdo ditë dhe shifra mund të jetë edhe më e madhe.

KE jep 15 milionë euro për tërmetin

15 milionë euro do të japë Komisioni Europian, pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit, ku humbën jetën 51 persona në Tiranë, Durrës dhe në Thumanë. “BE është në solidaritet të plotë me Shqipërinë. Kemi vendosur për zhvillimin e një konference të përbashkët donatorësh”,-u shpreh Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen. Solidarizimi me vendin tonë në këtë moment të vështirë vazhdon, dhe tashmë po materializohet edhe me ndihma konkrete financiare, përveç asaj që mbërriti më parë në formën e ekipeve të specializuara të kërkim-shpëtimit dhe më tej, të ekspertëve që janë në terren duke verifikuar dëmet strukturore. Bashkimi Europian, siç shkruante ”New York Times” dy ditë më parë, është vendosur në krye të përpjekjeve për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar. Bashkimi Europian dhe Kombet e Bashkuara po koordinojnë përpjekjet ndërkombëtare në ndihmë të vendit të gjunjëzuar nga fatkeqësia natyrore, thuhet në artikull ku theksohet sesi një ekip I bllokut europian është duke udhëhequr vlerësimin dhe shpërndarjen e ndihmës. Gjashtë shtete anëtare kanë dërguar 50 inxhinierë strukturorë, e të tjerë pritet të mbërrijnë për të vlerësuar dëmet së bashku me homologët vendas.

SHKARKO APP