Mediat greke e zbulojnë, Rama do të takohet me shqiptarët në stadiumin “Galatsi”. Leja është marrë

Fjalimi i kryeministrit Edi Rama me emigrantët shqiptarë në Greqi në kuadër të turit me diasporën, sipas mediave greke do të mbahet në Galatsi. Fjalimi në Athinë do të pasohet nga vizitat përkatëse në Milano më 26 maj, Londër më 2 qershor dhe Dusseldorf më 16 qershor, ndërsa turneu quhet “Krenar për Shqipërinë”.

Vizita në Athinë u zgjodh në datën e plotësimit të një viti nga arrestimi i Fredi Belerit, kandidat për kryetar të Bashkisë së Himarës në atë kohë. Një ngjarje që bëri që marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë të shkojnë “në akull”, në mes të periudhës parazgjedhore në Athinë.

Leja është dhënë nga shoqëria shtetërore e pasurive të paluajtshme dhe kontrata e qirasë është mbyllur nga personi privat që administron një pjesë të objekteve olimpike. Nga ana e tij, Rama u zotua se tubimi nuk ka të bëjë me zgjedhjet europiane dhe as me çështje të brendshme dhe narrativa që nxisin qytetarët grekë.

SHKARKO APP