Mediat greke: Greqia marrëveshje detare me Shqipërinë për ti çuar mesazh Erdoganit

Prej ditësh mediet në Greqi e jo vetëm shkruajnë për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për zonat detare. Media greke ”To Vima”, shkruan se Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias pritet që të vizitojë Tiranën për bisedime. Në debatin e fundit në Parlament grek mbi ratifikimin e marrëveshjeve për zonat detare me Italinë dhe Egjiptin, kryeministri dhe ministri i Jashtëm informuan delegacionin kombëtar se plani i Athinës është të rinisë bisedimet me qeverinë shqiptare për një zgjidhje përfundimtare, në pritje të caktimit të zonave detare. Nikos Dendias ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin Edi Rama, me të cilin u ra dakord se duhet të rinisin bisedimet sa më shpejt mes të dy shteteve. Tregues i klimës pozitive mes dy vendeve është dhe reagimi i ministrit të Jashtëm, Gent Cakaj ndaj njoftimit paraprak të Kyriakos Mitsotakis për shtrirjen e ujërave territoriale në Jon nga 6 në 12 milje.

Pa vonesë

Qëllimi i qeverisë greke nuk është të vonojë dialogun me Shqipërinë për çështjen e EEZ, duke synuar në dy drejtime. Nga njëra anë, për të përfunduar konsultimet me Tiranën së shpejti dhe për të nënshkruar marrëveshjen përkatëse, në kontekstin e zgjidhjes që ka të të bëjë me të drejtat sovrane të Greqisë. Turqia po provokon dhe shkel ligjin ndërkombëtar, Athina dëshiron të dërgojë mesazhin në Ankara se po diskuton dhe po vjen në marrëveshje me vendet fqinje, bazuar në Konventën për Ligjin e Detit.

Mesazh në Turqi

Në vitet e fundit, Turqia është përpjekur të ushtrojë ndikim në Ballkan dhe në Shqipëri. Dhe si pasojë ndryshimet kronike të Greqisë dhe problemet me vendet fqinje i shërbejnë politikës turke. Admirali turk i pensionuar Cichat Yaici kishte pohuar në një intervistë se Turqia ishte ajo që kishte minuar marrëveshjen Athinë-Tiranë të vitit 2009 për shënjimin e zonave të detit. Me fjalë të tjera, Yaici zbuloi se Turqia ndërhyri, duke paralajmëruar shqiptarët se Greqia po i mashtronte, me rezultat që marrëveshja të anulohej.

Bazuar në marrëveshjen e vitit 2009

Greqia dhe Shqipëria kishin nënshkruar një marrëveshje mbi caktimin e zonave detare në Prill 2009, me Ministren e Jashtme Dora Bakojanis dhe Kryeministrin Kostas Karamanlis. Nënshkrimet u kryen, por në verën e të njëjtit vit marrëveshja u anulua. Opozita e atëhershme shqiptare (partia e Edi Ramës) e kishte dërguar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, ku përfundimisht u anulua. Megjithatë, klima është krejtësisht e ndryshme. Ishte vlerësuar se bisedimet midis dy palëve mund të zgjasin pak kohë, por tani ato nuk do të fillojnë nga e para pasi baza për bisedimet e reja është marrëveshja e vitit 2009.

SHKARKO APP