Mediat publikuan se Erion Veliaj është marrë i pandehur nga SPAK, reagojnë avokatët e tij
Avokatët e Erion Veliajt kanë reaguar ashpër ndaj rrjedhjeve të vazhdueshme të informacionit nga hetimi penal që po zhvillohet ndaj kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, duke e cilësuar këtë një fushatë të orkestruar për ta paragjykuar në publik. Në një deklaratë të fortë publike, avokatët e tij denoncojnë se edhe për takimin e parashikuar për nesër me SPAK-un, mediat janë vënë në dijeni përpara vetë Veliaj, çka sipas tyre përbën një tjetër provë të manipulimit të opinionit publik dhe shkeljes së sekretit hetimor. Ata kërkojnë hetim për rrjedhjet e informacionit dhe theksojnë se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore.
Reagim i ekipit ligjor të Veliajt:
“Jemi thellësisht të shqetësuar që, praktika e nxjerrjes së informacioneve mbi procedurat e çështjes penale të z. Veliaj, vijon edhe në rrethanat e një takimi të prezumuar që do të mbahet nesër mes avokatëve të tij dhe SPAK-ut. Njoftimi i medias apo marrja e informacionit nga ana e medias përpara se vetë personit nën hetim, z. Veliaj, është një provë tjetër e faktit që kjo është një taktikë jo ligjore e prokurorisë për të sugjeruar në publik fajësinë e z. Veliaj.
Zbulimi i përsëritur dhe i paligjshëm i informacioneve që përbëjnë sekret hetimor mbi çështjen e z. Veliaj ka vijuar pa ndërprerje që nga dita e arrestimit të tij, në një përpjekje të qëllimshme për ta paragjykuar. Mosfillimi i asnjë procedimi penal nga ana e Prokurorisë së Posaçme për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 295/a (“Zbulimi i akteve ose dhe të dhënave sekrete”) i Kodit Penal, tregon qartë bashkëpunimin e këtij organi në realizimin e kësaj vepre penale.
Siç jemi njohur nga mediat e “SPAK”, që nesër pritet njoftimi i akuzës dhe përfundimi i hetimit nga SPAK, 163 ditë pas arrestimit të z. Veliaj, i jep për herë të parë mundësinë të shqyrtojë dhe të sfidojë siç duhet akuzat që janë ngritur ndaj tij, të analizojë provat e prokurorisë, të paraqesë prova dhe argumente ligjore në mbrojtje të tij.
Z. Veliaj kundërshton me forcë çdo akuzë për shkelje dhe vijon të theksojë bindjen e tij se ndalimi i zgjatur, i paarsyeshëm, i panevojshëm dhe joproporcional është në dëm të rëndë jo vetëm të të drejtave të tij kushtetuese si qytetar i këtij vendi, por edhe në dëm të rëndë të qytetarëve të Tiranës që kanë zgjedhur qeverisjen e qytetit dhe të vetë qytetit të Tiranës, që ka nevojën imediate të qeveriset nga kryetari i zgjedhur.”
KOHA JONË SONDAZH

