Mediu: Basha mos e kruej me PR, në 10 bashki ne duam nënkryetarët
Aleatët i kërkojnë PD-së të respektojë marrëveshjen që ka me to në lidhje me ndarjen e posteve në bashkitë e fituara nga opozita në zgjedhjet e 21 qershorit. Referuar votave që kanë mbledhur, duket se demokratët janë komodë në ndarjen e posteve në pushtetin vendor, pasi një gjë të tillë do ta bëjnë vetëm me republikanët.
Sipas marrëveshjes që PDja ka pasur me aleatët përpara zgjedhjeve, ato do të kishin nivel përfaqësimi në bazë të votave të mbledhura prej tyre. Partia e dytë do të përfaqësohej në nivel nënkryetarësh bashkie, e kështu me radhë. Tashmë që zgjedhjet lokale kanë përfunduar, partitë e koalicionit opozitar, duhet të përballen me ndarjen e posteve drejtuese në 15 bashkitë që mundën të fitonin më 21 qershor.
Kryerepublikani Fatmir Mediu kërkon zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore. Sipas kësaj marrëveshjeje, në ato bashki ku PRja rezulton forcë e dytë politike në radhët e koalicionit, do të ketë të drejtën e përfaqësimit në nivel n/kryetar bashkie, administrator, drejtor apo shef sektori.
“Ka një marrëveshje me Partinë Demokratike për ndarjen e administratorëve, e cila do të zbatohet në bazë të rezultatit të marrë nga partitë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, ne kemi rënë dakord që do të kemi poste nënkryetarësh në disa bashki të vendit dhe nivele të tjera administrative. Ndarja do të jetë në varësi të peshës së partisë. Dhe në bazë të rezultatit, PRja do të marrë në 10 bashki, postet e nënkryetarëve dhe në nivelet e tjera të qeverisjes vendore”, – deklaroi kreu i PRsë, Fatmir Mediu.
Partia Demokratike garanton zbatimin e marrëveshjes dhe duket se është në pritje të zyrtarizimit të rezultatit zgjedhor nga KQZja, në bazë të të cilit do të mësohen zyrtarisht edhe votat që ka grumbulluar secili subjekt. “Marrëveshja e nënshkruar do të respektohet nga Partia Demokratike”, siguron Jorida Tabaku. Por, Tabaku duket se ka një merak më të madh se përfaqësimi i partive në bashkitë e fituara nga e djathta. “Partia Demokratike do të respektojë, pa dyshim, marrëveshjen me aleatët e saj për ndarjen e administratorëve sipas rezultateve të marra në zgjedhjet lokale”, – deklaroi zj.Jorida Tabaku.
Ajo shprehet se për të gjithë administratorët që kanë nisur apo do nisin punën, nuk kanë asnjë bazë ligjore mbi aktivitetin e tyre. Ndryshimet në ligjin për pushtetin vendor konsiderohen nga opozita si domosdoshmëri për funksionimin dhe organizimin e bashkive të reja. Në 21 qershor, Partia Demokratike fitoi 15 nga 61 bashkitë, por edhe në bashkitë e fituara nga kandidatët e opozitës, këshillat bashkiakë, me përjashtim të Shkodrës, kontrollohen në shumicë nga këshilltarët e koalicionit qeveritar Aleanca për Shqipërinë Europiane. Partia Demokratike dhe Partia Republikane garuan së bashku në zgjedhjet e 21 qershorit