Mediu: Qeveri kujdestare 3 muaj para zgjedhjeve

Këtë të hënë u mbajt mbledhja e Këshillit Politik në lidhje me Reformën Zgjedhore, ku kreu i PR-së, Fatmir Mediu thotë se PS nuk i ka marrë në konsideratë propozimet e opozitës në lidhje me rregullimet në Kodin Zgjedhor. Sipas Mediut, çështja e zgjedhjeve nuk është ligjore, por ka të bëjë me mungesën e vullnetit politik nga ana e qeverisë Rama. Nga ana tjetër, për ”ora news”, ai shtoi se propozimi i opozitës për një qeveri kujdestare para 3-muaj para zgjedhjeve do të siguronte një frymë bashkëpunimi politik.

Pjesë nga deklarata

Kemi çuar propozime konkret për rregullimin e Kodit Zgjedhor. Nuk kemi përgjigje për këto propozime nga PS, por kemi vetëm qëndrime abuzive, që thonë nëse duan mirë, nëse jo, do ta miratojmë. Në një kohë kur ndërkombëtarët kanë thënë që këto ndryshime duhet të bëhen me konsensus të madh për garantuar besimin e qytetarëve dhe partive politike.

Çështja e zgjedhjeve në vendin tonë nuk është teknike apo ligjore, por ka të bëjë me vullnetin politik. Nuk ka pasur vullnet politik nga ana e qeverisë Rama për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por ka pasur kriminalizim të tyre përmes politikës dhe blerjes së tyre. Opozita mendon se ka ardhur koha për arritjen e një marrëveshjeje jetëgjatë që do të garantonte një vullnet të përbashkët për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Propozimi ynë për një qeveri kujdestare 3-muaj para zgjedhjeve, nuk cenon qeverisjen e njërës apo tjetrës palë, por siguron një frymë bashkëpunimi politik që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre të lirë me votë. Kjo duhet të jetë afatgjatë, që do kapi njëherë të majtën dhe njëherë të djathtën.

SHKARKO APP