Mediu: Rama synon të përçajë opozitën, analizat e nxjerrin të humbur
Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, thotë se vendi është në një paradoks jashtëzakonisht të madh duke pretenduar se është një shtet demokratik, por nuk funksionon as kushtetuta, as institucionet, as liritë dhe të drejtat.
”Jemi në kuadër të një regjimi, i cili kontrollon çdo gjë, çdo gjë është në dorën e një njeriu që është kryeministri. Lëvizjet e fundit para pushimeve kanë qenë skandaloze për ndryshimet kushtetuese. Asnjë vend anëtar i NATO, apo i BE, nuk ka ndryshuar kushtetutën në këtë lloj mënyre. Po ashtu, edhe Rusia, të cilën e diskutojmë si një shembull negativ, e ka ndryshuar kushtetutën në një proces shumë më demokratik se sa Edi Rama. Agjenda e Ramës duket e përcaktuar për ta vazhduar edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm”, u shpreh Mediu për ”A2cnn”.
Më tej, kreu republikan u shpreh se PS po përdor në mënyrë të qëllimshme administratën për zgjedhjet e vitit 2021. ”Objektivi që ka vendosur PS është objektivi i nisur pikërisht mbi këto instrumente manipulative. Ka të dhanë të qarta që PS po vendos detyrim përballë të gjithë punonjësve të administratës, detyrimin e gjithsecilit për të garantuar një numër të caktuar votash, në mënyrë që të mbajë vendin e punës, duke u bërë atyre kërkesën që të paraqesin, pranë strukturave përkatëse, të gjithë listën e emrave me karta identiteti, të cilët do të votojnë për PS-në. Duke shtuar këtu influencat me grupet kriminale, me të cilat ka filluar një komunikim intensiv nga ana e lidershipit të PS-së. Ato grupe kriminale që kanë manipuluar zgjedhjet e kaluara dhe duke parë edhe elemente të tjera pazaresh që përpiqen të hedhin në partitë e tjera për të përçarë opozitën”,- tha më tej aleati i PD-së.
Për Mediun, e gjithë përpjekja e Edi Ramës për të përçarë opozitën ka të bëjë me një analizë brenda PS-së, që kjo parti është e humbur. ”Më tepër sesa analizat, tashmë më tepër vihet re një realitet që është i qartë. Kemi një mungesë të plotë qeverisje, kemi një ekonomi tërësisht të shkatërruar, kemi pasiguri, rritje të influencës së grupeve të krimit të organizuar. Të gjitha këto kanë krijuar një koncept të qartë te shqiptarët që nuk mund të vazhdohet kështu. Opozita duhet të rikthejë besimin se Shqipëria mund të bëhet”,- tha më tej Mediu.