Mediu: Serbia po vepron si Rusia, qëndrimi i Shqipërisë absurd
Ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu zbulon bisedën me gjeneralin amerikan Westly Clark dhe tha se Serbia po vepron në Kosovë në të njëjtën mënyrë si Rusia në Ukrainë.
“Shoh politikë të koordinuar të Beogradit me Rusinë, po ravijëzohen dy blloqe BE-SHBA-Kanada NATO dhe Kina, Rusia, India, Iran dhe po qasen për të krijuar një rend të ri botëror. Duke vlerësuar edhe atë që Ballkani mund të jetë një vatër e re tensioni duke pasur parasysh historitë dhe ndërhyrjet rus e kineze ka potencial problematik për konflikte dhe vatra më e nxehtë është veriu i Kosovës. Është një histori qëndrimesh e probelemesh që duhet të kishim analizuar më kohë. Sot Serbia shpenzon mbi 3% të buxhetit për pajisje ushtarake e ofensive nga Rusia e Kina. Republika Srpska ka marrë qëndrim për t’u shkëputur nga Bosnjë Hercegovina dhe kjo e mirëkoordinuar nga Serbia. U tentua grusht shteti në Mal të Zi dhe vazhdon një ndërhyrje agresive në Mal të Zi. Ka qëllim për kthimin e forcave pro ruse e serbe në Mal të Zi”.
Qëndrimi i Shqipërisë për këtë situatë është absurd, thotë Mediu, teksa tregon edhe hapat urgjente që duhet të ndërmarrë vendi ynë.
“Absurd qëndrimi i Shqipërisë, si ka mundësi që nuk kemi qëndrim institucional në këtë situatë njerëzit që drejtojnë këto institucionet nuk e kanë pronë private por duhet të përmbushin detyrat kushtetuese. Hapi i parë është që duhet të tregojmë që kemi shtet dhe të veprojmë si shtet që ka këshillin e sigurisë kombëtare. Hapi i dytë qasja diplomatike, të përgatisim një marrëdhënie si faktor rajonal për atë që ndodh në rajon dhe kemi nevojë për konsultim me partnerët. Të shtrojmë në nivelet e NATO-s shqetësimin për atë që po ndodh në Ballkan, NATO ka shqetësim specifik për Ballkanin. Në strategjinë e Rusisë sot është interesi për vatra të reja konflikti”.