Kejdi Mehmetaj: Kemi marrë pamjet nga KQZ, kurse SPAK nuk jep shenjë për nisjen e hetimeve
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e pranon rezultatin e zgjedhjeve më 25 prill. Nënkryetarja e kësaj partie Kejdi Mehmetaj, thotë se i ka marrë nga KQZ të gjitha pamjet e numërimit të votave.
”Sidomos në dy qarqe, në Berat dhe Durrës, mandati i LSI-së lëviz me fare pak vota. Nga pamjet filmike, këto vota të LSI-së janë në kuti, por janë të tjetërsuara apo që nuk janë përkthyer në procesverbal. Po ashtu, kemi gjetur vota të pavlefshme të PS-së që janë numëruar si të vlefshme. Këto kohë jemi marrë me këtë proces”,-tha në ”A2cnn”.
Nga ana tjetër, ajo theksoi se SPAK nuk jep asnjë shenjë për nisjen e hetimeve. “Do doja shumë që institucionet e reja të drejtësisë, të nisin të japin shenja që në këtë vend mund të formohet shtet dhe të ketë institucione të pavarura. Nëse SPAK nuk jep as shenjën më të vogël nëse ka nisur hetimet për ndonjë prej denoncimeve që kemi bërë, çfarë mesazhi do t’u japim të rinjve që po ikin?”.