Meidani: “Duhet transparencë në financimin e fushatave”
Ish-presidenti Rexhep Meidani, ka qenë sot pjesë e një tryeze me temë, “Financat e partive politike si perspektive në diskutimin publik dhe pjese e reformës zgjedhore”.
Gjatë fjalimit, ai u shpreh se sistemi ynë politik ka nevojë për një formë shumë më të qartë e ligjore për financimin e partive politike, sidomos të fushatave zgjedhore.
“Mbi të gjitha, për të penguar si ‘shitjen’ e politikanëve tek biznesi, ashtu dhe presionet apo ‘goditjet tatimore’, kërcënimet e nxjerrjet nga puna, blerjet e ‘pazaret’ materiale, duke shfrytëzuar varfërinë e qytetarëve. Madje, në disa raste, fushata është shoqëruar me dhënie ushqimesh, organizime udhëtimesh turistike, deri me shpërndarje të drejtpërdrejtë mjetesh monetare, etj. Prandaj, në rastin e fondeve e ‘granteve’ në ‘cash’, apo kur financohen koncertet elektorale, posterat, fletëpalosjet, gazetat elektorale, transmetimet e spotet televizive, etj., kërkohet një transparencë e plotë dhe kontroll i detajuar i shpenzimeve, dhe jo deklarime sa ‘për sy e faqe’ të partive e individëve në KQZ”, tha Meidani.
z.Meidani theksoi gjithashtu dhe rëndësinë që ka respektimi dhe garantimi i votës, që sipas tij nënkupton votimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë, nëpërmjet teknikave moderne të votimit në distancë; si dhe numërimin korrekt e transparent i votës.
“Një zgjidhje të drejtë kërkon dhe problemi i kalimit nga votimi proporcional me lista të mbyllura kandidimi në ato të hapura, pavarësisht nga ndonjë reagim kundërshtues apo lexim ‘jo krijues; të nenit 68, paragrafi 1, i kushtetutës”, shprehet ai.
Ai shtoi edhe se partitë politike duhet të kenë përgjegjësinë e tyre në lidhje me financimin. “Pra, duhen konsideruar e plotësuar ato nene të lidhura me financimin e fushatës, në mënyrë të veçantë për ndjekjen korrekte e transparente të financimit, gjatë gjithë fushatës, e jo vetëm formalisht disa muaj pas përfundimisht të saj. Paralelisht, mendoj, se dhe partitë politike duhet të kenë përgjegjësinë e tyre në lidhje me financimin. Ato duhet të kenë strukturat e tyre të ‘auditimit’, me llogari të rregullta bankare si parti, në tërësi, dhe për çdo kandidat, në veçanti”, vijon Meidani.
KOHA JONË SONDAZH

