Meidani kundër Ramës: Po ia kalon Putinit për anëtarësinë
Ish- presidenti socialist, Rexhep Meidani, i kundërvihet kryetarit të PS, Edi Rama, i cili ka deklaruar se do zgjerojë radhët e anëtarësisë së PS deri në 150 mijë anëtarë.
E llogaritur në krahasim me përqindjen e popullsisë, kjo do të thotë 5 përqind.
“Pra ashtu si në fillim të karrierës së vet partiake, për një rritje të anëtarësisë së PS-së deri në 120 mijë anëtarë (objektiv që praktikisht u harruar), ai përsëri premton një objektiv të ri, atë të arritjes së një numri prej 150 mijë anëtarësh realë të partisë. Siç duket, me një aritmetikë të thjeshtuar të tipit “Rama” (si në rastin e punësimit), për një një mesatare prej afro 600 mijë votash, ky objektiv nënkupton anëtarësimin e një pjesëtari të çdo familje votuesish të rregullt të PS-së”, shkruan Meidani në gazetën Panorama.
Më pas ai analizon rastet e huaja.
Në Francë, Partia Socialiste Franceze ka 60 mijë anëtarë ose 0.09 përqind të popullsisë.
Në Britani, Partia Laburiste ka 246 mijë anëtarë ose 0.3 përqind të popullsisë.
Në Gjermani Socialdemokratët kanë 473 mijë anëtarë ose 0.5 përqind të popullsisë.
Në Itali kjo shifër shkon në afro 0.6 përqind të popullsisë.
Në Rusi, partia e Vladimir Putinit ka rreth 2 milion anëtarë ose rreth 1.4 përqind të popullsisë.
“A nuk janë përqindjet perëndimore të anëtarësisë partiake nga afro 0.1 deri në 0.6 përqind të popullsisë totale shumë më të ndryshme se 5 përqind i projektuar shqiptar”,pyet Meidani.
Sipas tij, për ideologji apo pozicion politik nuk mund të flitet.
“Pozicioni i PS i ngjason më shumë atij të partisë së fuqisë, ku pikërisht pushteti politik dhe ekonomik konceptohet si ideologji koherente”.
KOHA JONË SONDAZH

