MEIDANI: SULMI NDAJ BLUSHIT TREGON MUNGESË GUXIMI

 

Ish-presidenti Rexhep Meidani e ka konsideruar sulm të orkestruar kritikave që i bëhen deputetit socialist Ben Blushi në lidhje me pohimet e tij. Sipas Meidanit, argumenti se Blushi nuk ka gjetur kohën e duhur për të bërë kritika ndaj qeverisë, tregon mungesë force dhe guximi për të analizuar shqetësimet dhe të vërtetat e deputetit.

Meidani është shprehur se rrugëdalja nuk është heshtja, por heqja dorë nga rruga josociale dhe arrogante e deritanishme dhe të pranohet realiteti, siç është sot.

“E kam lexuar shkrimin e Blushit në Aleksandri, në Egjipt. Në fakt, më bëri shumë përshtypje si reagim është një reagim i fortë, një shpërthim individual i fuqishëm, por që, në njëfarë mënyre, mund të jetë dhe për “larje shpirti” pas zhgënjimit. Nëse Ben Blushi qenka kritikuar për kohën e zgjedhur, atëherë kjo tregon, se mungon forca, guximi e kuraja për të analizuar shqetësimet dhe të vërtetat e tij, që në shumicën e tyre janë dhe shqetësime të qytetarëve. Rrugëdalja nuk është heshtja (sikur nuk ka ndodhur asgjë), as ndonjë sulm i orkestruar ndaj pohimeve të tij, aq më keq të vazhdohet plot “krenari” rruga sa josociale, po aq dhe arrogante e deritanishme, por të njihet dhe të pranohet realiteti, siç është sot, duke hequr dorë, më së fundi, nga stili i gabuar, tashmë pa efekt, i “shatërvanëve të propagandës” në kushte “gropash” realiteti”, ka deklaruar ai.

Duke folur për “Rilindjen”, Meidani ka theksuar se nuk e ka besuar kurrë atë, e cila sipas tij nuk ka qenë gjë tjetër veçse një slogan elektoral.

“Në gjykimin tim që diçka të vdesë , fillimisht duhet të lindë. Dhe , më tej, pas vdekjes në mënyrë “mistike” mund të flitet edhe për rilindje apo ringjallje! Prandaj, me që bëhet fjalë për ringjallje apo rilindje, unë nuk e kam besuar asnjëherë atë. Por, pa e zgjatur me sofizma, në leximin tim, Rilindja nuk ka qenë gjë tjetër veçse një slogan elektoral”, ka thënë Meidani.

Meidani është shprehur gjithashtu i zhgënjyer me “senatorët” e PS-së, të cilët dikur të hidheshin në fyt nëse nuk zbatohej statuti i partisë, ndërsa sot vetëm heshtin. Sipas ish-presidentit, tek PS vërehet një ecuri jodemokratike dhe për këtë është prononcuar kohë më parë.

“Është një zhgënjim, një ecuri jodemokratike. Dhe për to jam prononcuar shumë kohë para Blushit. Për më tepër, unë çuditem sidomos me miqtë e dikurshëm, me të ashtuquajturit “senator” të PS-së. ata, më parë, të hidheshin në fyt për çdo vonesë në zbatimin e tij, kurse sot po heshtin dhe vetëm heshtin. Nuk e kuptoj ose nuk dua ta kuptoj arsyen! Ata, atë bënë dhe në vitin 2009, pas humbjes së zgjedhjeve. Por, në lidhje me PS-së, ashtu si Blushi, si në atë kohë ashtu edhe sot, unë kam qenë dhe mbetem partizan i zbatimit të plotë të sistemit rregullator”, ka theksuar ai.

SHKARKO APP