Meloni mbledh liderët e G7 në Itali, VOA zbulon detajet e takimit
Nga Zëri i Amerikës
Takimi i grupit të shtatë vendeve më të industralizuara të botës u hap me arritjen e një marrëveshjeje mbi një propozim të Shteteve të Bashkuara për një hua prej 50 miliardë dollarësh për Ukrainën, e cila do të financohet me interesin e fituar nga pasuritë e ngrira ruse, duke i dhënë Kievit një shfaqje të fortë mbështetjeje edhe pse skena politike e Evropës po përjeton një zhvendosje në krahun e djathtë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni mirëpriti krerët e shteteve të G7-ës në një resort luksoz në Italinë jugore, duke thënë se dëshiron që mesazhi i këtij takimi të jetë dialogu me jugun global dhe uniteti. Ajo e krahasoi G7-ën me pemët e lashta të ullirit që janë një simbol i rajonit të Pulias, “me rrënjët e tyre të forta dhe degët e projektuara drejt së ardhmes”.
Papa Françesku do të bëhet Papa i parë që do të mbajë një fjalim në një takim të G7-ës, duke i dhënë pak më shumë famë dhe autoritet moral këtij takimi të përvitshëm. Ai do të flasë të premten për mundësitë dhe rreziqet e inteligjencës artificiale, por pritet gjithashtu të përsërisë thirrjen e tij për një fund paqësor të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe luftës Izrael-Hamas në Rripin e Gazës.
G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania dhe Shtetet e Bashkuara. Italia, e cila është mikëpritëse e takimit të këtij viti, ka ftuar disa udhëheqës të vendeve afrikane, përfshirë presidentin algjerian Abdelmadjid Tebboune, presidentin kenian William Ruto dhe presidentin tunizian Kais Saied, për të nxitur nismat e zhvillimit dhe frenimit të emigracionit nga Afrika drejt Italisë dhe gjithë Evropës.
Në mesin e të ftuarve të tjerë janë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, kryeministri indian Narendra Modi dhe presidenti turk Recep Tajip Erdogan. Duke marrë parasysh që Presidenti Biden, kryeministri britanik Rishi Sunak dhe tani presidenti francez Emmanuel Macron përballen me zgjedhje në muajt e ardhshëm, G7 është nën trysni të madhe për të bërë atë që mundet për aq kohë sa do të zgjasë status kuo-ja.
Përdorimi i pasurive të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën
Propozimi i Shteteve të Bashkuara përfshin një hua prej 50 miliardë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, e cila do të mbështetej në interesin e fituar nga pasuritë e ngrira të bankës qendrore të Rusisë, shumica e të cilave ndodhen në vendet e Bashkimit Evropian.
Një zyrtar francez tha për gazetarët të mërkurën se udhëheqësit kishin arritur një marrëveshje politike, por se detajet teknike dhe ligjore të mekanizmit për shfrytëzimin e pasurive të ngrira ende duhej të përpunoheshin. Çështja është e ndërlikuar, sepse nëse një ditë pasuritë ruse zhbllokohen, për shembull nëse lufta në Ukrainë përfundon, atëherë fitimet nga interesi i këtyre pasurive nuk do të mund të përdoreshin më për të shlyer kredinë, duke krijuar nevojën për një marrëveshje të re për ndarjen e barrës me vendet e tjera.
Përveç kësaj marrëveshjeje, kryeministri britanik Sunak njoftoi një ndihmë joushtarake prej 310 milionë dollarësh për Ukrainën për nevojat e saj humanitare, energjetike dhe stabilizuese. Uashingtoni dërgoi gjithashtu sinjale të forta mbështetjeje, me sanksione të zgjeruara kundër Rusisë, duke vënë në shënjestër kompanitë kineze, që po ndihmojnë makinerinë e saj të luftës.
Ndryshimet në skenën politike në Evropë
Kryeministrja Meloni e ka konsoliduar pushtetin brenda dhe jashtë vendit pasi partia e saj e ekstremit të djathtë pati një paraqitje më të mirë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian sesa në zgjedhjet e përgjithshme kombëtare të vitit 2022, që e bënë atë kryeministren e parë grua të Italisë. E njohur për qeveritë e saj jetëshkurtra, Italia është tani në pozicionin e pazakontë të të qenit fuqia më e qëndrueshme politike në Bashkimin Evropian.
Udhëheqësit e dy anëtarëve të tjerë të BE-së, që gjithashtu janë anëtarë të G7-ës, Gjermania dhe Franca, u tronditën nga rezultatet e mira të partive të djathta në vendet e tyre. Presidenti francez Macron shpalli zgjedhje të parakohshme dhe socialdemokratët e kancelarit gjerman Olaf Scholz dolën pas konservatorëve dhe Alternativës së ekstremit të djathtë për Gjermaninë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
Si rezultat, zonja Meloni ka të ngjarë të jetë në gjendje ta drejtojë takimin tre-ditor me përparësitë e saj kryesore, ndërsa ajo forcon më tej rolin e saj në skenën botërore, thonë analistët. Një shenjë e shfaqjes së forcës së të djathtës ekstreme është mohimi nga zyra e zonjës Melonit e njoftimeve të mediave se Italia po përpiqej të zbuste gjuhën për qasjen tek aborti në komunikatën përfundimtare të G7-ës.
Një zyrtar francez, duke folur në mënyrë anonime, tha se kishte pikëpamje të ndryshme me negociatorët italianë për disa tema, duke përfshirë shëndetin riprodhues dhe vaksinat. Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani konfirmoi se po diskutohej çështja e abortit, por tha se diskutimet po vazhdonin. “Ndonëse nuk ka të ngjarë që rezultatet e fundit të zhvendosin rrënjësisht përqëndrimin në temat kryesore të takimit të ardhshëm të G7-ës, kjo fitore elektorale i jep kryeministres Meloni më shumë mundësi për ta strukturuar këtë si një “Samit Mesdhetar”, thotë Nick O’Connell, zëvendësdrejtor i Këshillit Atlantik.
Kjo përfshin përqëndrimin e vëmendjes tek agjenda e emigracionit, ndërsa kryeministrja Meloni kërkon të përdorë programin e saj për një marrëdhënie joshfrytëzuese me Afrikën për të nxitur zhvillimin me synim frenimin e imigrimit të paligjshëm në Evropë.
Papa dhe inteligjenca artificiale
Papa Françesku ka bërë thirrje për një traktat ndërkombëtar për t’u siguruar që inteligjenca artificiale të zhvillohet dhe përdoret në mënyrë etike, duke pranuar mundësitë që ofron, por duke theksuar edhe kërcënimet e rënda dhe ekzistenciale që paraqet. Ai do të flasë për këtë fushatë para udhëheqësve të vendeve më të industrializuara të botës, ndërsa në botë po shpërthejnë luftëra në shumë fronte. Një nga shqetësimet e tij më të mëdha ka qenë përdorimi i inteligjencës artificiale në sektorin e prodhimit të armëve. Ai i ka quajtur prodhuesit e armëve tradicionale “tregtarë të vdekjes”. Por Papa Françesku është gjithashtu i shqetësuar për ndikimin e inteligjencës artificiale tek të varfërit, një teknologji që mund të përcaktojë besueshmërinë e një aplikanti për të marrë një kredi për blerje të një shtëpie, të drejtën e një imigranti për të marrë azil politik, ose mundësinë për të kryer sërish vepra penale nga një person i dënuar më parë për një krim.
Vendi ku po zhvillohet takimi i G7
Takimi i G7-ës po zhvillohet në një resort luksoz të madh, një qytet artificial i krijuar për t’i ngjasuar një prej fshatrave mesjetare të Pulias, por që në fakt është ndërtuar në vitin 2010. Borgo Egnazia, që shtrihet pranë një parku aktual arkeologjik, ka rrugë të ngushta, vila, restorante dhe një shesh të qytetit të kompletuar me një kullë sahati. Kjo është një zonë e preferuar për njerëzit e famshëm dhe do të jetë e mbyllur për të huajt gjatë takimit të G7-ës.