Meloni: Në takimin me liderët evropianë në Samitin e Finlandës, do të diskutohet çështja e emigracionit Itali-Shqipër
Në takimin me liderët e vendeve evropiane do të diskutohet çështja e emigracionit dhe përshtatjes së legjislacionit sipas modelit të marrëveshjes që Italia ka miratuar me Shqipërinë, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni përpara Samitit Veri-Jug në Lapland, Finlandë.
Kryeministrja Giorgia Meloni ndodhet në Saariselka të Laplandës, ku me ftesë të kryeministrit finlandez Petteri Orpo, do të marrë pjesë në Samitin e parë Veri-Jug që do të zhvillohet nesër.
Në takimin e Finalndës, të pranishëm do të jenë gjithashtu, kryeministri suedez Ulf Kristersson, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Kryeministrja Meloni tha se siguria ishte një prioritet për Evropën.
“Ne kemi nevojë për më shumë siguri dhe mendoj se bashkimi i kombeve nga veriu dhe jugu, të cilët shpesh, historikisht kanë qenë në fronte shumë të ndryshme për çështjet evropiane, për të diskutuar atë që sot përfaqëson një prioritet për Evropën është një zgjedhje shumë e zgjuar”, tha kryeministrja, duke falënderuar homologun e saj finlandez, Petri Orpo.
“Nga tema e emigrantëve, te tema e mbrojtjes, te tema e një skenari në të cilin luftërat hibride dhe kërcënimet shumëfishohen, ne duhet të bashkojmë përpjekjet tona.Ky është prioriteti ynë”, shtoi ajo.
“Gjykata e Lartë në Itali ka vendosur në favor të vendimit të qeverisë italiane, duke i hapur rrugën dërgimit të emigrantëve nga Afrika dhe Lindja e Mesme në Shqipëri – të cilëve iu refuzohet azili”, tha Meloni në një deklaratë nga qyteti i madh i Finlandës, Lapland.
Meloni ritheksoi nevojën për të zgjidhur çështjen e vendeve të sigurta, e cila nuk ka të bëjë vetëm me Italinë.
Një direktivë e BE-së për riatdhesimet pritet në muajt e parë të vitit 2025 – ndërsa Komisioni Evropian ka planifikuar gjithashtu të hartojë listën e vendeve të sigurta.
“Ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë. Ne duam të mbrojmë kufijtë e jashtëm dhe ne nuk duhet të lejojmë Rusinë apo organizatat kriminale të minojnë sigurinë tonë”, tha Meloni. //a.i/ ATSH