Merkel kundër negociatave me Shqipërinë, Biberaj: Rama vazhdon të përkeqësojë demokracinë

Deklarata e Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ka shuar përfundimisht shpresat për çeljen e negociatave me Shqipërinë ka nxitur reagimet e para në radhët e opozitës shqiptare, e cila faturën e këtij dështimi ia adreson drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë që ai drejton.

Një reagim i tillë vjen nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, i cili përmes rrjeteve sociale deklaron se Angela Merkel vazhdon t’i thotë “Nein” për të tetin vit radhazi Edi Ramës dhe qeverisë së “rilindjes” për integrimin europian!

“Te dashur miq! Kancelarja Gjermane Angela Merkel vazhdon t’i thotë “NEIN” Edi Ramës dhe qeverisë së rilindjes, e cila nuk kryen asnjë lloj reforme, duke mos plotësuar asnjë kusht të Bundestagut Gjerman, përkundrazi vazhdon të përkeqësojë të gjithë treguesit e demokracisë, shtetit të së drejtës, si dhe lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Edi Rama dhe qeverisja e rilindjes iu kanë mohuar qytetarëve shqiptarë edhe të drejtën elementare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, pasi në votimet moniste të 30 qershorit të vitit të kaluar për qeverisjen vendore, qytetarët nuk kishim mundësi zgjedhjeje, pasi në listat e kandidatëve kishte vetëm një kandidat.

Shqipëria vazhdon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, ndërkohë që nuk është zhvilluar asnjë hetim për vjedhjet dhe manipulimin e zgjedhjeve në Durrës (Dosja 339) dhe Dibër (Dosja 184).

Shqipëria vazhdon të jetë kampione europiane e korrupsionit, e krimit të organizuar dhe e  lidhjes së grupeve të strukturuara kriminale me politikën qeverisëse.

Shqipëria nuk ka investime të huaja direkte dhe prani të kapitalit te huaj, pasi sipas raporteve të institucioneve ndërkombëtare klima e biznesit është armiqësore ndaj këtyre investimeve.

Në Shqipëri është vrarë shpresa dhe besimi, gjë që ka detyruar emigrimin e qindra mijëra shqiptarëve gjatë 8 viteve të fundit, ndërkohë që 79 % e rinisë dhe 50 % e popullsisë dëshiron të largohet në emigracion.

Ndërkohë që dera europiane për Shqipërinë vazhdon të mbetet e mbyllur, Kancelarja Angela Merkel i bëri thirrje Bullgarisë që të mos vendosë të drejtën e vetos për bllokimin e negociatave, por të merret vesh me Maqedoninë, e cila i plotëson kushtet për hapjen e negociatave.

Edi Rama dhe qeverisja e tij e rilindjes do të hyjnë në librin e rekordeve negative Guinness, pasi për 8 vite s’kanë plotësuar asnjë kusht për të hapur negociatat, përkundrazi i kanë përkeqësuar ato, duke i shtuar kushteve zyrtare të BE-së edhe 16 kushte të brendshme!”, shprehet Biberaj.

SHKARKO APP