Merkel: Vendet e Ballkanit Perëndimor të bashkëpunojnë për Integrimin në BE
Pas një takimi virtual me kryeministrin Edi Rama dhe me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor këtë të hënë, kancelarja Angela Merkel, tha se Gjermania do të ndajë tre milionë doza të vaksinave anti-covid për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Po ashtu kancelarja pohoi se ekzistojnë një sërë problemesh mes Kosovës dhe Serbisë, por se një bashkëpunim mes shteteve të Ballkanit është i nevojshëm për anëtarësim në BE.
Bashkëpunimi për një treg të përbashkët rajonal dhe njohja e diplomave për Merkel është një çështje që nuk është arritur ende, por siç ka thënë pritet që shpejt të ndodhë një gjë e tillë. Eliminimi i tarifave për shërbimet e roaming-ut në vendet e Ballkanit Perëndimor, Merkel e ka theksuar si një arritje mes këtyre shteteve.
Në samitin e fundit, përveç 6 liderëve ballkanas morën pjesë dhe disa nga liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe jo vetëm, mes tyre Emmanuel Macron, Mario Draghi, Sebastian Kurtz, si dhe kryeministri i Britanisë së Madhe Boris Johnson. Në fjalën e saj në fund të samitit, Angela Merkel përshëndeti procesin e Berlinit, duke theksuar të gjitha arritjet në 7 vite takime, që prej krijimit të nismës në 2014.
Procesi i Berlinit është një iniciativë diplomatike e kancelares gjermane filloi në vitin 2014, me qëllim për të mbështetur një të ardhme paqësore, të qëndrueshme dhe demokratike të Ballkanit Perëndimor, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal dhe Integrimin Europian të rajonit.