Mesazhi i Bashës për krerët e degëve të PD: T’i përgjigjemi çdo thirrje të Presidentit në mbrojtje të Kushtetutës
Kryetari i PD, Lulzim Basha 5 ditë para manifestimit të Presidentit Meta në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit” i ka dhënë një mesazh të qartë strukturave të Partisë Demokratike.
Basha thotë se e mbështet thirrjen e Presidentit Meta për manifestimin në mbrojtje të Kushtetutës dhe në mesazhin e tij thotë se duhet të shpërndahet tek të gjitha strukturat e PD. Më pas për këtë çështje do të merret vetë Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi me të cilin do të komunikojnë të gjitha strukturat.
Duket se Partia Demokratike po përgatitet të jetë prezente me mbështetësit e saj në manifestimin e 2 marsit të Presidentit Ilir Meta në Tiranë.
MESAZHI I LULZIM BASHËS
Të nderuar Kryetarë, Më poshtë mesazhi i Kryetarit Basha për tubimin e organizuar nga Presidenti i Republikës më datën 2 Mars 2020, ora 17:00, ne Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”: “Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!”. Dy porosi: 1. Ky mesazh të shpërndahet tek të gjitha strukturat e partisë. 2. Mbi këtë çështje do të keni gjatë ditës bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm, për masat organizative. Ju përshëndes!