Mesazhi i Berishës nga dritarja: Askush nuk do vijë ta përmbysë Ramën për ne. Skënderbeu u ngrit i vetëm dhe triumfoi

Në fjalimin e përditshëm për mbështetësit që çdo mbrëmje i shkojnë poshtë banesës, Sali Berisha e nisi me një thirrje ndaj shqiptarëve që të ngrihen për të përmbysur Edi Ramën. Berisha tha se askush nuk do të vijë ta përmbysë për ne Edi Ramën, por duhet të jemi ne që ta rrëzojmë. Duke bërë një paralelizëm me Skëndërbeun, ish-kryeministri që është në ”arrest shtëpie” që prej 30 dhjetorit 2023, tha se ”Skënderbeu u ngrit i vetëm ndaj perandorisë më të fuqishme dhe triumfoi”.

Pjesë nga fjala

Skënderbeu frymëzon çdo shqiptar të qëndrojë në të vërtetat që beson. Të qëndrojë në idealet që beson. Të qëndrojë i pamposhtur sepse ai qëndroi kundër perandorisë më të fuqishme të kohës dhe triumfoi.

Të ngrihemi të shpëtojmë shoqërinë shqiptare nga kthetrat e egra të krimit që e kanë kapluar. Të ngrihemi të përmbysim këtë regjim për të çelur dyert e mbyllura të Europës për Shqipërinë. Miqtë e mi, e ardhmja evropiane e Shqipërisë është e ardhmja më e shkëlqyer. Integrimi ynë në familjen evropiane është interesi absolut i çdo shqiptari.

Do t’i drejtohem Edi Ramës, armikut të egër të Shqipërisë së gjitha kohërave, nga Skënderbeu gjer më sot. Edi Rama, struku po je i pashpresë. Kjo rrugë, prozhektorët e saj të shpresës, të dritës, po ngrohin dhe po ndriçojnë çdo ditë e më shumë zemrat e shqiptarëve. Ty të pret fati i etërve të tu biologjikë, të pret fati i Noriegës, fati i narkodiktatorëve në të gjithë botën. Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!

SHKARKO APP