Mesazhi i kandidatit për kryebashkiak, Halim Kosova, me të rinjtë e kryeqytetit

 

Unë kam një kënaqësi të veçantë sot që jam para jush, sespe sinqerisht jeni ndër brezat që bashkë me një kolektiv të mrekullueshëm ju kemi shërbyer në ditët e para të jetës, duke dëgjuar me shumë emocion qarjen e parë dhe të paharrueshme, të gëzueshme për çdo familje, si një përshëndetje e shëndetshme për të ardhmen tuaj. E kam theksuar gjithë ato herë dhe gjej rastin ta theksoj edhe sot se kurrë nuk mund të pranoj që kjo e qarë, atëherë e shëndetshme, t’iu shoqërojë më, dhe politika duhet të bëjë më të mirën për ju sepse akoma ju është shumë borxhli pas 25 vjetëve demokraci.

Ju, unë dhe shumë qytetarë të tjerë do të jeni bezdisur me siguri nga konfliktet politike, jeni të bezdisur sepse ato nuk sjellin bereqet, prandaj një nga detyrat e mia kryesore është; të qëndroj larg debateve boshe. T’i themi mjaft mjaftit, dhe pabesisë për qytetin tonë, për të kthyer besimin për të ardhmen e qytetit tonë. Besim për të ardhmen, punë dhe dinjitet do të jetë motoja jonë e përbashkët. Jam shembull i qartë i fruteve të punës me dinjitet se ku mund të arrijë një njeri.

Kam shumë kritika nga ekspertët të cilët janë përreth meje, nga shokë dhe miq, që të bëhem pre e debateve, pre e batutave dhe e humorit, i cili nuk më mungon. Çdo ditë që shkel qytetin e Tiranës, çdo ditë që takoj njerëz, shoh që mjerimi është aty ku nuk mban më. Ndaj, nuk më vjen të bëj batuta dhe humor në një kohë që shumica e banorëve dhe qytetarëve të këtij qyteti vuajnë peshën e varfërisë. Duhet të ulim taksat e shumta që kanë vënë, pra nuk është koha për të qeshur, është koha për t’u mobilizuar për të bërë më të mirën e mundshme për ju. Jeni e ardhmja e vendit, mjerë ajo qeveri që nuk i kthen sytë nga rinia e saj.

Jemi mbledhur këtu ndoshta për koincidencë në sheshin që mban emrin Nënë Tereza. Nënë Tereza ka thënë nuk ka rëndësi se çfarë bën në jetë sado e vogël qoftë ajo, mjafton ta bësh me dashuri. Jam shembulli më i mirë për ato që kam bërë në jetë, që shumë gjëra të vogla më sjellin sot të dalë hapur para jush, për t’iu drejtuar drejt një prespektive të sigurtë me punë dhe dinjitet.

Halim Kosova

SHKARKO APP