Mesazhi i kryebashkiakes së Himarës, Bala: Detyra kryesore, shërbimi për qytetarët dhe turizmi
Bashkia e Himarës ka tashmë një kryetare të re. Ajo është Blerina Bala, e zgjedhur pas kaosit në Këshillin Bashkiak. Zgjedhjen e saj një ditë e kundërshtuan mbështetësit e Fredi Belerit, por sot pasi ka marrë detyrën edhe me votat e opozitës që u bashkua me socialistët, ndaj ajo ka një mesazh publik.
“Mendoj se mesazhi ka ardhur dje me votat pro edhe të opozitës gjatë procesit të përcaktimit të kryetarit. Votat e këshilltarëve i shikoj si një besim ndaj meje, dhe këtu gjej rastin t’i falënderoj. Jam e ndërgjegjshme se e drejta për të protestuar është e gjithkujt, por Himara ka nevojë për një bashkim”-u shpreh Blerina Bala.
Blerina është angazhuar që në moshën 14-vjeçare si aktiviste e partisë socialistë në Himarë dhe prej 15 vjetësh punon në bashki, 4 nga të cilat si nënkryetare. 40-vjecarja që tashmë kryebashkiake është nënë e dy vajzave, 17 dhe 12 vjeçare.
“Gratë e vajzat kanë treguar se kryefjalë të ditës kanë punën dhe nuk mendoj se bëj përjashtim”-shprehet ajo. Kryebashkiakja e re ende nuk ka hyrë në zyrën e re të punës. Ajo tregon se e ka të qartë se çfarë pune do të bëjë gjatë drejtimit të përkohshëm të bashkisë
“Patjetër që pritoriteti kryesor janë qytetarët dhe ofrimi i shërbimit ndaj tyre. Por duke qenë se jemi në prag të sezoni turistik ku pritet ‘boom’ turistësh, ne jemi duke u përgatitur për të pritur dhe menaxhuar sa më mirë këtë sezon”-shton kryebashkiakja.
Bashkia e Himarës i ka të dy kryebashkiakët e burgosur. Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur u arrestua pak ditë para zgjedhjeve me akuzën e korrupsionit zgjedhor. Ndërsa kryebashkiaku në detyrë Jorgo Goro është arrestuar me akuzën e tjetërsimit të tokave shtetërore. /Top Channel/