Mesazhi i veçantë i Luan Ramës për kandidatët e LSI-së: Jemi më të mirët që konkurrojmë në qarkun e Vlorës

“Vota për LSI-në, është votë për Shqipërinë”. Me këtë sllogan dhe nën moton se jemi më të mirët që kandidojmë në qarkun e Vlorës, zëvendëskryetari i LSI-së dhe njëherësh drejtuesi i fushatës së kësaj partie në Vlorë Luan Rama, u është drejtuar sot në mëngjes të gjithë kandidatëve të listës që ai kryeson, duke zgjedhur kësisoj një mënyrë krejt të veçantë për nisjen e fushatës së zgjedhjeve.

Me thjeshtësi dhe pa u marrë fare me emrat e kandidatëve të partive të tjera, Luan Rama në mesazhin e vet, iu drejtohet emrave të listës së partisë së tij duke përveçuar veçoritë dhe cilësitë pozitive të secilit prej tyre, duke e konsideruar veten me fat që është në një grup bashkë me ta.

“Të dymbëdhjetë, nënvizon Luan Rama në mesazhin e vet, jemi bashkë me njëri-tjetrin grupi më i mirë konkurues në qarkun e Vlorës, jemi përfaqësuesit që bashkojmë qytetarët me kauzën e madhe të fitores në zgjedhjet e 25 prillit”.

Më poshtë po japin mesazhin e plotë:

Të dashur kolegë,
Kandidatë për deputetë të LSI-së në qarkun e Vlorës!

Mirëmëngjes, mbarësi dhe suksese në fushatën tonë të përbashkët!

Le të jetë kjo ditë e parë e fushatës, fillimi i fazës finale për kurorëzimin me sukses të gjithë punës dhe përpjekjeve tona, që 25 prilli të shënojë jo vetëm fundin e marrëzisë së të marrëve në pushtet, por edhe fitoren tonë të madhe për të mirën e Shqipërisë.

Unë jam me fat, por jam edhe shumë krenarë që të punoj bashkë me të gjithë ju në qarkun e Vlorës; me Grisejdën aq të mirë që vjen si vlonjate e palcës së Vlorës dhe përfaqësuese e botës universitare dhe me Taqon aq shumë të përkushtuar, me Dikensin e palodhur dhe Aligjonin përherë të këndshëm, gjithë pozitivitet e më të qeshurin e grupit, me Lirinë zonjë e fisnike në qetësinë e vet aq kuptimplotë dhe Gjergjin gjithë përvojë e punëshumë, me Entelën ambicioze dhe kembëngulëse dhe Anxhelën e Gjormit që bashkë me Joanën e Ksamilit janë modeli i angazhimit për të përfaqësuar ndër ne mirësinë dhe bukurinë e një brezi që meriton padyshim një Shqipëri tjetër, pa diskriminim dhe oligarkë, pa korrupsion dhe pasiguri, por edhe me Evertonin e Delvinës që e duan të gjithë dhe Ilirin që mbyll listën për të na dëshmuar se renditja është vetëm një konvencion që nuk përcakton as përgjegjësinë dhe as cilësinë e angazhmit, pasi të dymbëdhjetë jemi bashkë me njëri-tjetrin grupi më i mirë konkurues në qarkun e Vlorës, jemi përfaqësuesit që bashkojmë qytetarët me kauzën e madhe të fitores në zgjedhjet e 25 prillit.

Vota për LSI-në,
Është votë për Shqipërinë!

SHKARKO APP