Meta: Afera “McGonigal” derdhi kupën e zemërimit të shqiptarëve. Rama do të japë llogari një më një!

Kreu i Partosë së Lirisë, Ilir Meta, ka folur në protestën e opozitës, duke thënë se kryeministri Rama do të japë llogari një më një për shkeljet kushtetuese. Mes të tjerash Meta tha se ‘McGonigal’ është afera që derdhi kupën e zemërimit te shqiptarët.

Fjala e plotë e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe në të gjithë Shqipërinë. I nderuar profesor Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike.
Kjo protestë historike dhe madhështore sot është prova e dinjitetit më të lartë qytetar dhe patriotik.
Sot është ora për t’u përballur në një rezistencë pa kthim me këtë regjim të kalbur, hajdut, abuzues dhe armik të provuar të interesit publik dhe kombëtar.
Struci i Rilindjes është fshehur si një frikacak i pashoq nga frika e tmerrshme që ai ka nga përballja me të vërtetat, me popullin dhe me dëmet e pallogaritshme që i ka shkaktuar atij.

Edi Rama në 10 vite e përdori pushtetin vetëm për të kapur shtetin për interesat e tij mafioze dhe të Rilindjes dhe është i gatshëm të kënaqë këdo mafioz të brendshëm apo ndërkombëtar, vetëm që të shtyjë edhe disa ditë në pushtet.

Afera korruptive që ka tronditur mbarë botën në të dy anët e Atlantikut, Rama-McGonnigal është afera që ka derdhur kupën e zemërimit mbarëpopullor.

Edi Rama e ka shumë të qartë se llogaridhënies nuk i shpëton dot, edhe pse ka braktisur Kuvendin prej tre javësh.

Edi Rama do japë llogari deri në një, për të gjitha shkeljet e Kushtetutës që ka bërë. Ai do të japë llogari për shkatërrimin e Parlamentit, do të japë llogari edhe për bllokimin e paligjshëm e të qëllimshëm të të gjithë inciativave dhe projektligjeve të opozitës. Edhe për projektligjet që kemi paraqitur prej kaq shumë kohësh në Kuvend, që nga ulja e çmimit të naftës, indeksimi i pagave çdo vit, liberalizimit të prodhimit të energjisë voltaike, sepse këto projektligje u shërbejnë qytetarëve dhe mirëqenies së tyre, ndërsa Rama kërkon t’i varfërojë dhe dëbojë ata dhe ndërkohë të shtojë korrupsionin e tij.
Ai do të japë llogari edhe për bllokimin e komisioneve hetimore të opozitës në Kuvend, sepse ai ka tmerr nga të vërtetat e hidhura të korrupsionit të tij, që nuk i mbulon dot më askush.

Edi Rama do të japë llogari edhe për përjashtimet staliniste të deputetëve të opozitës nga grupet parlamentare si dhe nga e drejta e tyre që të përfaqësojnë qytetarët e Republikës në Kuvendin e Shqipërisë.

Edi Rama do të japë llogari deri në fund për pengmarrjen e integrimit europian, këtij interesi të madh mbarëkombëtar, sepse me veprimet e tij mafioze si amnistia fiskale, pasaportat e arta, Portin e Durrësit, ligjin për mediat, ai i është kundërvënë haptas vlerave themelore të shtetit ligjor, transparencës dhe llogaridhënies

Sepse Edi Rama e zëvendësoi procesin e integrimit europian në procesin e korruptimit ndërkombëtar, siç e di gjithë bota.

Ndaj me Edi Ramën Kryeministër, vendi vetëm zhytet në korrupsion, ndërsa Kosova përmirësohet me 20 vende vetëm në dy vite, sepse në Kosovë ka zgjedhje të lira, funksionojnë institucionet, ka llogaridhënie.
Ndaj pagat në Shqipëri janë sa gjysma e pagave në vendet fqinje, ndaj edhe pedagogët tanë ëndërrojnë dhe kërkojnë që t’i kenë pagat e tyre pas dy vjetësh, aq sa i kanë kolegët e tyre në Kosovë sot.

Populli i Shqipërisë e ka marrë vendimin e tij solemn dhe nuk do të lejojë më që Edi Rama të vazhdojë të uzurpoj zyrën e Kryeministrit, të cilën u provua që e ka kthyer në një çerdhe mafioze ku ndahen paratë dhe pasuritë kombëtare të shqiptarëve.

Populli nuk do të lejojë më kurrë, që zyra e Kryeministrit të prodhojë vetëm mjerim, që shpopullon vendin dhe dëbon qindra mijëra shqiptarë dhe sidomos të rinjtë dhe fëmijet nga atdheu i tyre.

Shqiptarët protestojnë sot për t’u dhënë fund dramave familjare, ku prindërit ulin sytë përpara fëmijëve sepse nuk u plotësojnë dot kërkesat për veshje, libra dhe ushqim.

Të gjithë e dini se çfarë ka ndodhur në këto dy javë të të ftohtit, pothuajse të gjitha shkollat e vendit tonë janë pa ngrohje. Ky është rezultati i reformave të “Ramaformës” që janë korrupsion i gjallë në çdo sektor dhe në çdo qelizë të qeverisjes.
Për t’i dhënë fund braktisjes së bujqësisë dhe falimentimit të fermerit shqiptar, që investon dhe prodhon por nuk shet, që detyron të hedhë prodhimet në kanal dhe të braktisë tokën, sepse për Qeverinë i vetmi prioritet dhe sukses është importi i “bananeve”, që është rritur 60 herë nga Kolumbia dhe që kanë përmbytur Shqipërinë.

Sot me ne janë të gjithë shqiptarët që mbijetojnë në kufirin e mjerimit dhe të varfërisë, me të ardhura më pak se 5.5 dollarë në ditë dhe ata janë gati 2/3 e gjithë shqiptarëve që jetojnë sot këtu.

Janë të gjithë të rinjtë dhe të rejat që vuajnë papunësinë, qe ndjejnë pasiguri dhe padrejtësi dhe nuk shohin asnjë mundësi me këtë qeveri në vendin e tyre.
Sot me ne janë pensionistët, që nuk kanë mundësi të paguajnë ilaçet, faturat e dritave dhe ujit dhe as të blejnë dot gazetat në mëngjes.

Janë gjithashtu të gjithë biznesmenët e ndershem, të cilët kanë falimentuar apo po rezistojnë me shpirt nëpër dhëmbë, për shkak të taksave të larta dhe gjobvënësve të bashkisë dhe të qeverisë.

Janë punonjësit e administratës, që janë pushuar padrejtësisht se vendet e tyre i kanë zënë patronazhistët apo sepse nuk kanë pranuar të firmosin shkeljet ligjore të korrupsionit të shefave të Rilindjes.

Me ne sot janë edhe gjithë punonjësit e ndershëm të administratës që intimidohen çdo ditë me presione politike dhe që janë dëshmitarët okularë të korrupsionit të tmerrshëm të shefave të tyre të Rilindjes.

Numërimi mbrapsht, për largimin përfundimtar të së keqes të personifikuar nga Edi Rama dhe sekti i “Rilindjes”, ka filluar.

Shqiptarët më shumë se kurrë kanë vendosur të jenë zot të vetes, te fateve dhe së ardhmes të tyre dhe të mos e presin Shpëtimin nga askush tjetër, përveçse nga dashuria e tyre për familjen, për atdheun dhe për fëmijët e tyre.

Ndaj Populli ka vendosur që Edi Rama të largohet një orë e më parë si një mafioz i kapur në flagrancë, si një i korruptuar që s’ka asnjë lidhje me postin dhe institucionin kushtetues të kryeministrit të Republikës.

Edi Rama është tashmë vetëm një subjekt i merituar për Drejtësinë për veprimet e tij shumë të rënda minuese kundër Kushtetutës, kundër pluralizmit politik dhe demokracisë si dhe për grabitjen masive financiare me miliarda euro që gjenden në “Offshoret” e tij, duke filluar nga Offshori që merr dhe që vjedh taksat e Tiranës dhe Shqipërisë në Landfillin e Sharrës.

Edi Rama është përgjegjësi kryesor për shpopullimin e Shqipërisë, por është njëkohësisht përgjegjësi kryesor për mbipopullimin e burgjeve të Shqipërisë.
Sepse, për të rinjtë dhe fëmijët e shqiptarëve, ai ka ofruar vetëm dy alternativa:

Ose largimin nga vendi, ose përfshirjen në aktivitete kriminale.

Por, ndërsa mijëra të rinj kanë përfunduar në burgje këtu, në Itali, në Belgjikë dhe në Europë për disa gram hashash, bosët e vërtetë të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, pastrojnë paratë nën udhëheqjen dhe në bashkëpunim të ngushtë me Edi Ramën, duke bërë që kostoja e blerjes së banesave dhe qeratë të rriten aq shumë, sa të jemi të tretët në Europë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve dhe qerave, aq sa një familjeje të re me punë të ndershme, do t’i duhen të paktën 30 vjet për të patur një apartament modest.

Ndaj Edi Rama e do kaq shumë pushtetin, që ta kthejë në një parajsë fiskale Shqipërinë për veten dhe klientët e tij, ndërsa fëmijëve të shqiptarëve, ai u ka imponuar vetem rrugën e gomoneve dhe të vuajtjeve në emigrim.

Ndaj dhe Populli i Shqipërisë është sot këtu për të bërë Ndryshimin me çdo çmim, përmes protestës dhe votës së lirë, duke shporrur një orë e më parë këtë rregjim dhe këtë sekt antipopullor dhe antikombëtar.

Të gjithë bashkë në këtë shesh jemi energjia e pandalshme e ndryshimit me çdo cmim! Çmimin le ta zgjedhi lepuri që ka tre javë që i fshihet Parlamentit të Shqipërisë.

Zoti ju bekoftë ju. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Rroftë Flamuri Kombëtar.

SHKARKO APP