Meta: AMA, t’i qëndrojë larg politikës dhe të jetë e paanshme
Një fakt të tillë, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, e ka bërë me dije gjatë fjalimit në prezantimin e raportit të Këshillit të Europës për AMA-n.
Duke shtuar se ky institucion ka mbështetjen e Kuvendit, por edhe atë të institucioneve ndërkombëtare. Dhe se do vazhdohet që t’i kushtohet një vëmendje maksimale funksionimit të tij.
Ajo që pritet sipas tij nga AMA, është që t’i qëndrojë larg politikës, të jetë e paanshme, e drejtë dhe kompetente në ushtrimin e funksioneve të saj në shërbim vetëm të interesit publik.
“Jemi të ndjeshëm për funksionimin e medias, ajo është e rëndësishme për qytetarët jo vetëm për politikën”, deklaroi në fjalën e tij Meta.
Ndërsa duke u ndalur konkretisht tek raporti i KiE-s për treguesit ligjorë të pavarësisë së AMA-s, ai theksoi se “pavarësia e medias është pika kyçe në zhvillimin e vlerave demokratike” dhe se “AMA ka për detyrë t’i mbrojë ato”.
Duke përfunduar se raporti i lartpërmendur e ndihmon AMA-n, duke lënë pas një periudhë të vështirë të këtij institucioni, tashmë që ajo po shkon përballë normalitetit, pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj.