Meta: Asnjë risi nga ndryshimet në qeveri, tre kukulla anonime. Besoj tek Berisha, s’ka reformë zgjedhore me Ramën
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur për ndryshimet në qeverinë ”Rama 3”, të cilat i cilësoi si retushim i qeverisë. Për të Rama ekzekutoi përfundimisht Partinë Socialiste, duke zëvendësuar tre kukulla politike me tre kukulla anonime. ”Edi Rama nuk ndryshoi aspak filozofinë grabitëse të qeverisjes, jo vetëm në dëm të interesave të qytetarëve por edhe të cenimit flagrant të interesave kombëtare”, theksoi ai.
“Lëvizjet e befta në tre ministritë më të rëndësishme, të Financave, të Brendshme dhe të Mbrojtjes, nuk sjellin asnjë risi, as ulje taksash, as rritje pagash dhe pensionesh, as hapje të vendeve të reja të punës, as më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, as dhënien fund të korrupsionit, as luftë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, as forcimit të rendit dhe sigurisë publike”, u shpreh Meta.
Sipas Metës, pa u larguar Edi Rama nuk ka asnjë shpresë se ndryshimet në qeveri do të sjellin një impakt pozitiv. I pyetur për ndryshimet në kodin zgjedhor dhe nëse kanë ardhur, si shkak i një konsensusi të mundshëm midis Ramës dhe Berishës, Meta tha se, ”besoj se zoti Berisha e ka bërë shumë të qartë pozicionin e tij, dhe ky është dhe pozicioni im. Nuk ekziston asnjë lloj reforme zgjedhore. Nuk ekziston, asnjë adresim i rekomandimeve serioze të OSBE-ODHIR. për zgjedhjet e fundit, përkundrazi”.