Meta dekoron akademikun Verli me Titullin e lartë ”Kalorës i Urdhrit të Flamurit”: Model frymëzues
Presidenti Ilir Meta ka dekoruar historanian dhe akademikun e shquar, Marenglen Verli me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Teksa i shpreh mirënjohje për studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare, kreu i shtetit thotë se Verli është një model frymëzimi.
Postimi i plotë
Në vlerësim të veprimtarisë së shquar, për mbi katër dekada, në studimin dhe promovimin e historisë dhe kulturës sonë kombëtare, veçanërisht asaj të Kosovës dhe të trevave të tjera etnike shqiptare, pata nderin të çmoj, edhe në kuadrin e “Ditëve të Albanologjisë”, historanian dhe akademikun e shquar, Marenglen Verli me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Mirënjohje për kontributet dhe meritat e veçanta shkencore dhe akademike në drejtimin e institucioneve studimore dhe albanologjike, veçanërisht për përfshirjen e historisë, gjeografisë, arsimit e kulturës të viseve shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar.
Ndihmesa e tij e madhe për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë tonë historike dhe kulturore është një model frymëzues, për ta kthyer këtë angazhim në një prioritet më të rëndësishëm mbarëkombëtar, veçanërisht duke fuqizuar dhe mbështetur më shumë Akademinë e Studimeve Albanologjike, me një rol të madh për forcimin e identitetit tonë kombëtar.