Meta dekoron Pastorin Akil Pano: Ka dhënë kontribut në forcimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta në ditën Ndërkombëtare të Familjes, ka dekoruar me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, pastorin Akil Pano. Sipas kreut të shtetit, Pano ka spikatur si një promotor i vlerave të larta morale, qytetare, kombëtare, por edhe të solidaritetit njerëzor.
Postimi i plotë
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, pata kënaqësinë të vlerësoj një personalitet të dalluar në jetën civile dhe fetare të vendit, një avokat publik në mbrojtje të institucionit të familjes dhe jetës, Pastor Akil Pano.
Nismëtar dhe themelues i lëvizjes qytetare “Koalicioni Shqiptar Pro Familjes dhe Jetës”, ai ka spikatur si promotor i vlerave të larta morale, qytetare, kombëtare dhe të solidaritetit njerëzor.
Për përkushtimin e spikatur për kauzën e mbrojtjes së familjes dhe për mbështetjen ndaj personave në nevojë dhe me aftёsi ndryshe, i akordova Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
Gjatë drejtimit të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, i jemi falenderues Pastor Panos edhe për kontributin në forcimin e bashkëjetesës e harmonisë fetare në vendin tonë, një vlerë e jashtëzakonshme kombëtare, me të cilën krenohemi dhe që mbetet një shembull frymëzues për të gjithë botën.