Meta dekoron trajnerin legjendar të volejbollit Vangjel Koja dhe basketbollistin e shquar Muhamet Përmeti
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar ditën e sotme me Dekoratën “Nderi i Kombit” trajnerin legjendar të volejbollit të “Dinamos” dhe Ekipit Kombëtar, Vangjel Koja, si dhe basketbollistin e shquar të “Partizanit” dhe të Ekipit Kombëtar, Muhamet Përmeti.
Kreu i Shtetit i akordoi titullin e lartë, Vangjel Koja me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe personalitetin e gjithanshëm të treguar në sport dhe në jetë, me arritjen e rezultateve të larta në sportin e volejbollit, duke renditur skuadrën ‘Dinamo’ ndër katër skuadrat më të mira të Europës. Puna dhe kontributi i tij i shkëlqyer në sportin shqiptar, për të cilat ai luftoi me profesionalizëm dhe vendosmëri, janë një shembull frymëzimi për brezat e rinj.”;
Presidenti Meta dekoroi edhe Muhamet Përmetin “Në shenjë vlerësimi për personalitetin dhe kontributin e shkëlqyer të treguar në sport, me arritjen e rezultateve të larta në basketboll si titullar i ekipit ‘Partizani’ dhe atij Kombëtar, por edhe si trajner i suksesshëm. Pasioni dhe përkushtimi e tij janë një shembull frymëzimi, për të gjithë brezat, që vazhdojnë të tregojnë respekt të pafund për njeriun e rrallë të basketbollit dhe sportit shqiptar”. Meta u shpreh se është kënaqësi të nderojë sot dy figura të mëdha të sportit tonë, dy legjenda të cilët respektohen jo vetëm nga komuniteti i sportistëve, por nga mbarë opinioni.
Fjala e plotë e Presidentit Meta
Prof. Vangjel Koja dhe Muhamet Përmeti i përkasin asaj gjenerate, që shënoi gjurmë të mëdha dhe historike, plot sukses, në dy sporte të mrekullueshme dhe aq të dashur për të gjithë, volejboll dhe basketboll, duke i ngritur ato, në majat më të larta ndërkombëtare të kohës. Ata e kanë merituar të jenë gjithmonë në kurorën e artë të historisë së sportit shqiptar me rezultatet e tyre, si sportistë dhe si trajnerë, por mbi të gjitha me personalitetin e tyre. Prof. Vangjel Koja apo Xhela siç e njohin të gjithë është një trajner, i cili e ngriti volejbollin shqiptar në majat më të larta të Europës.
Trajner unikal, që arriti të fitojë me skuadrën e ‘Dinamos’ për 30 vite, gati 40 tituj, mbi 20 herë Kampione e Shqipërisë dhe të tjerat si fituese e Kupës.Mbi të gjitha me ‘Dinamon’ e tij, ai arriti, që në vitin 1972, ta rendisë atë në katër skuadrat më të mira të Europës. Vangjel Koja ka qenë një volejbollist i talentuar i ‘Dinamos’ dhe Ekipit Kombëtar, por jo vetëm, ka qenë një sportist i gjithanshëm dhe në shumë sporte të tjera. Prof. Xhela ka qenë gjithnjë kërkues dhe çka është më e rëndësishme, tepër komunikues, me një edukatë shembullore, me një etikë profesionale dhe shoqërore të nivelit më të lartë. Vangjel Koja është mësuesi dhe trajneri shembullor për brezat, që shkuan, por dhe për ata që do të vijnë.
Është një ikonë e volejbollit tonë, me tipare të jashtëzakonshme organizative, por mbi të gjitha edukative dhe frymëzuese. Emri i tij në Universitetin e Sporteve është gjithnjë i respektuar, si pedagogu i dashur i të gjithë studentëve, ku ai shërbeu për dekada. Vangjel Koja është edhe “biblioteka kombëtare” e volejbollit tonë, nga shënimet për çdo kampionat, skedat për çdo ndeshje, statistikat e tij për çdo lojtar, fotografi për çdo trofe. Trajneri i mbi 90 trofeve në 40 vjet karrierë si profesionist, i mbi 100 ndeshje ndërkombëtare me “Dinamon” dhe Ekipin tonë Kombëtar, shkëlqen sot dhe do të shkëlqejë gjithmonë në historinë e volejbollit dhe të sportit tonë.
Muhamet Përmeti ose Pata, siç është emri më popullor i tij, ka qenë një nga basketbollistët më cilësorë të ‘Partizanit’, dhe të Kombëtares sonë, Kapiten i të dyjave, me 77 ndeshje ndërkombëtare. Një lojtar me cilësi të shkëlqyera fizike, teknike, taktike dhe gjithmonë shpirt i skuadrës. Njeri me virtyte nga më të mirat, çka e bënte të dashur për të gjithë, përfshi edhe kundërshtarët.
Muhamet Përmeti është shpallur 5 herë Kampion me ‘Partizanin’ dhe 5 herë fitues i Kupës së Republikës, duke shkëlqyer jo vetëm në fushën e basketbollit si titullar i ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar, por njëkohësisht edhe si trajner i ‘Dinamos’, ‘Partizanit’ dhe i Ekipit Kombëtar. Ai ka mbetur në kujtesën e sportdashësve për fizikun e tij të mrekullueshëm, për lojën plot finesë, elegancë, siguri dhe padyshim, që Muhamet Përmeti është kampion i madh, jo vetëm i vlerave sportive, por dhe i vlerave njerëzore edhe sot e kësaj dite.
Një falënderim nga zemra dua t’i përcjell familjeve tuaja të nderuara, që ju kanë mbështetur kaq shumë në këtë rrugë plot sakrifica në jetën tuaj, si sportistë, por edhe si trajnerë. Në radhë të parë i keni munguar familjeve tuaja për të qenë më pranë sportistëve, për të qenë më pranë sportdashësve, për të qenë më pranë publikut dhe për të na dhuruar gjithë ato momente të jashtëzakonshme. Vlerësimi i merituar me dekoratën ‘Nderi i Kombit’ për këto dy personalitete është një vlerësim edhe për gjeneratat, që ata përfaqësojnë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për dekada të tëra, por mbi të gjitha janë dhe një ftesë për të gjithë ne, që të bëjmë më shumë për t’i mbështetur këto dy sporte.
Mos harrojmë që në një periudhë të izolimit të Shqipërisë kemi qenë në volejboll dhe në basketboll, falë këtyre sportistëve dhe trajnerëve, por edhe mbështetjes që i është dhënë këtyre sporteve në atë kohë, në nivelet më të larta europiane.Tani është koha për ta shfrytëzuar këtë traditë dhe trashëgimi të jashtëzakonshme, në mënyrë që t’i japim një mbështetje më të madhe këtyre dy sporteve, për t’i rikthyer në nivelet më të larta sepse shembujt nuk mungojnë, tradita nuk mungon dhe mundësitë janë sot më të mëdha se asnjëherë tjetër.