Meta: Demirel vuri në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit dhe të demokracisë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë për të shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit, Sulejman Demirel.
Pasi nënshkroi një mesazh ngushëllimi në Librin e Ngushëllimeve, Kryetari i Kuvendit në një prononcim për mediat vlerësoi kontributin e ish-Presidentit, Demirel duke theksuar se ai vuri gjithnjë në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit dhe interesin e demokracisë.
“Është një ditë e vështirë jo vetëm për popullin vëlla turk, por për të gjithë turqit anembanë botës, sepse tashmë është ndarë nga jeta një personalitet i jashtëzakonshëm i kombit turk, një burrë i jashtëzakonshëm i shtetit, i cili e meritoi falë sakrificave të tij të panumërta për zhvillimin dhe modernizimin e vendit, për rikthimin dhe zhvillimin e demokracisë, vlerësimin si “babai” i Turqisë, sepse ai përgjatë gjithë jetës së tij, që njohu sakrifica të panumërta dhe shpesh herë të padrejta, vuri gjithnjë në plan të parë interesin e kombit, interesin e shtetit, interesin e demokracisë. Sa herë e dënuan në mënyrë jodemokratike dhe e rrëzuan në mënyrë jodemokratike, ai u ringrit edhe më i fortë falë mbështetjes së popullit turk, falë besimit të popullit turk tek dashuria e tij dhe vizioni i tij për përparimin e Turqisë”, u shpreh Meta.
Kryetari i Kuvendit theksoi se Sulejman Demirel ishte gjithmonë i orientuar drejt së ardhmes dhe i shërbente asaj.