Meta, deputetit Spahiu: Ç’punë pate me Drejtësinë?!
Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka përjashtuar nga radhët e saj deputetin e Dibrës, Përparim Spahiu, për deklaratat tij kundër ndarjes së sovranitetit të vendit me ndërkombëtarët për kryerjen e vetingut në Drejtësi.
Por mesazhi në “Twitter” i Spahiut është cilësuar nga Grupi Parlamentar si qëndrim personal i gabuar dhe i nxituar, në kundërshtim të plotë me qëndrimet e LSIsë për Reformën në Drejtësi. Mësohet se gjatë diskutimit në grup, Ilir Meta i ka quajtur të patolerueshme deklaratat e Përparim Spahiut, ndaj i ka qëndruar propozimit për ta përjashtuar nga Grupi Parlamentar.
Gjatë diskutimit, deputeti Luan Rama i ka dalë në mbrojtje Spahiut, duke e quajtur si masë ekstreme përjashtimin, por duke sugjeruar një pezullim të përkohshëm. Por burimet bënë të ditur se deputeti i Dibrës është shprehur që statusi i tij është keqinterpretuar dhe se kishte të bënte me një çështje të paqartë, se kush do t’i zgjidhte anëtarët e organizatës ndërkombëtare.
Mësohet se Spahiu është shprehur që mesazhi i tij është keqpërdorur nga mediat, pasi ai ka shprehur qëndrim në një status privat dhe jo në emër të LSIsë. Po ashtu, burimet bënë të ditur se deputeti ka thënë se qëllimi i mesazhit të tij nuk kishte fare të bënte me faktin se ishte dakord apo jo që vetingu të bëhej nga të huajt, pasi në mesazh ka shprehur dakordësinë që procesi të kryhet nga BEja, SHBA-të apo NATO. Por mësohet se Ilir Meta është treguar i prerë, teksa i ka thënë deputetit Spahiu se: “Nuk kishe punë fare. Fol për taksat dhe s’të them gjë, por jo për Drejtësinë, pasi nuk është puna jote”.
Mësohet se Ilir Meta ka qenë mjaft i ashpër dhe i prerë në këtë vendim.
KOHA JONË SONDAZH

