Meta: Festa e Krishtlindjeve na fton të jemi më solidarë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, Meta zhvilloi fillimisht një vizitë në Kishën Ortodokse Autoqefale.

Duke folur për median pas vizitës, Kryetari i Kuvendit uroi që kjo ditë të sjellë sa më shumë mbarësi për familjet shqiptare dhe për shoqërinë tonë.

“Në këtë ditë Krishtlindje do të uroja gjithë besimtarët e krishterë, por edhe të gjithë popullin shqiptar sa më shumë mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre, por natyrisht edhe në gjithë shoqërinë tonë”, u shpreh Meta.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit zhvilloi vizita në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë si edhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës. Z. Meta theksoi se kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve dhe na fton të jemi më solidarë e më të bashkuar me njëri-tjetrin.

“Kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve është një festë që na bashkon të gjithëve në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe natyrisht që është një ditë e cila në fton për të qenë gjithnjë solidarë dhe më të bashkuar me një-tjetrin”, u shpreh ndër të tjerash Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.

SHKARKO APP