Meta: Fitorja në Bashkinë e Vorës, më e thella në të gjithë Shqipërinë
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë në një takim madhështor në Marikaj, pjesë e Bashkisë së re të Vorës në mbështetje të kandidatit të ASHE, Luan Sallaku.
Në fjalën e tij përshëndetëse, lideri i LSI-së, z. Ilir Meta shprehu bindjen për fitoren e thellë të “Aleancës për Shqipërinë Europiane” dhe të kandidatit Luan Sallaku në 21 qershor.
“Ne do të fitojmë dhe do të jetë fitorja më e thellë në të gjithë Shqipërinë, fitorja në bashkinë e re të Vorës. Këtu ku mundësitë për punësim kanë qenë dhe janë të jashtëzakonshme, ashtu siç ju i keni produktet tuaja që prodhoni bio, edhe ne votat i duam vetëm bio në 21 qershor”, tha Meta, duke shtuar se votat e fitores do të jenë vota besimi, vota të cilat kanë të bëjnë me një kontratë për të ardhmen e bashkisë së re të madhe të Vorës.
“Ne nuk duam 4 vjet, ne duam të na provoni 2 vjet deri në 2017. Nuk do të masakrohen më të gjithë ata që kanë investuar dhe që duan të investojnë në Vorë. Përkundrazi, të investojnë, por vetëm një kusht kemi ne për ata, që të parët që do të punësohen do të jenë nga komuniteti i Vorës. Ky është i vetmi kusht. Ne do të hapim shkolla profesionale. Edhe përsa i takon industrisë, edhe përsa i takon bujqësisë dhe agroturizmit. Në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë të marrin formimin e duhur profesional për të bërë me aftësi një punë e cila do t’u garantojë mirëqenien dhe begatinë e familjes”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së, tha gjithashtu se koalicioni i majtë do e kthejë Vorën në modelin më të shkëlqyer në Shqipëri të transformimit të ndryshimit të shërbimit ndaj komunitetit dhe të punësimit të çdo banori.
“Populli do punë dhe ne do t’i japim punë çdo banori të Vorës. Të rinjtë duan formim profesional dhe ne do t’i japim formim profesional çdo të riu këtu në Vorë. Ne kemi vetëm një interes për Vorën, për Bashkinë e re të madhe të Vorës që ta kthejmë në modelin më të shkëlqyer në Shqipëri të transformimit, të ndryshimit të shërbimit ndaj komunitetit dhe të punësimit të çdo banori të Vorës. Kjo është arsyeja që do të votohet ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’, koalicioni strategjik PS-LSI. Luan Sallaku është një djalë i këtij komuniteti, është një njeri jashtëzakonisht punëtor, një administrator shumë i mirë, është një njeri bashkëpunues, është një njeri modest dhe është një njeri i cili do të punojë me ju çdo ditë dhe ne bashkë me të dhe me të gjithë komunitetin tuaj”, tha Meta.
“Në qoftë se deri më tani kam ardhur një herë në ditë në Vorë kur kam pasur mundësi, ju jap fjalën se pas 21 qershorit, do të vij dy herë në ditë në Vorë. Do vij që të mbajmë premtimet. Sfida jonë është shumë e thjeshtë. Ky është transformimi që ne duam të sjellim në Vorë. Asnjëherë nuk janë mbledhur kaq shumë gra në Vorë, asnjëherë nuk janë mbledhur kaq të rinj dhe të reja në Vorë. Është një optimizëm që vjen nga energjia pozitive që ne të gjithë bashkë kemi zgjuar nga komuniteti i Vorës. Bashkë do të bëjmë punë të mrekullueshme të cilat do të rrisin mirëqenien dhe begatinë e komunitetit tuaj dhe do të garantojnë të ardhme të lumtur për fëmijët e tyre”, tha Meta.
Nga ana e tij, kandidati i ASHE-së, Luan Sallaku garantoi banorët e Marikajt dhe të gjithë Bashkisë së re se punësimi do të jetë fokusi i axhendës së tij.
“Ne kemi një projekt të veçantë për punësimin. Është pika kyçe ku ne do të fokusohemi që çdo familje e Marikajt, çdo familje e Bashkisë së re të Vorës të ketë mundësinë të paktën nga një të punësuar në familjet e tyre duke siguruar të ardhura. Ne sot kemi 500 vende pune. Unë si kandidat dhe kryetar i ardhshëm i katër viteve do të jem mbështetja kryesore jo vetë i Marikajt, por i gjithë komunitetit. Prandaj kërkoj mbështetjen tuaj më 21 qershor”, – tha Sallaku.
Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim mori pjesë në Panairin e Agroturizmit në Kalanë e Prezës, pjesë e Bashkisë së re të Vorës.
Në fjalën e tij, lideri i LSI-së shprehu mbështetjen për promovimin e këtyre produkteve dhe garantoi se në muajt dhe në vitet që vijnë, vëmendja dhe interesi i turistëve për kalanë e Prezës, por edhe për të gjithë bashkinë e re të madhe të Vorës do të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme.
“Kjo parajsë e natyrës dhe historisë do të kthehet në një burim të jashtëzakonshëm mirëqenie për të gjithë komunitetin e Prezë, të Vorës dhe të Bërxullës dhe do të jetë një shembull i shkëlqyer i transformimit që ne duam të bëjmë, një transformim që i ndihmon njerëzit jo vetëm të kenë shërbime më të mira, por edhe të jenë të gjithë të punësuar. Unë edhe një herë tjetër dua të deklaroj se brenda dy viteve për ne, çdo banori të Prezë, të Vorës dhe të Bërxullit do të jetë krijuar një ose disa mundësi për punë. Do të jetë krijuar mundësia për formime profesionale dhe jo vetëm kaq, por ne do të nxisim në mënyrën më transparence investitorë të rëndësishëm vendas dhe të huaj për të realizuar investime afatgjata dhe strategjike në këtë zonë. Jo vetëm në fushën e industrisë, por edhe në atë të bujqësisë dhe të blegtorisë sepse duke patur konsideratë pozicionin e Bashkisë së re të madhe të Vorës që përfshinë edhe Prezën edhe Bërxullën, ne do të bëjmë të mundur realizimin e qendrave të tilla të grumbullimit të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale nga e gjithë Shqipëria dhe krahas këtyre edhe ngritjen e qendrave të përpunimit të këtyre produkteve në mënyrë që produkti më i mirë të shkojë për eksport dhe produktet e tjera të shkojnë për industrinë e përpunimit që do të punësojë me qindra njerëz, kryesisht banorë të këtij komuniteti”, – theksoi Meta.