Meta flet për ndryshimet në qeveri dhe nevojën “për të ecur më shpejt”
Me një rritje të mbështetjes popullore sidomos të LSI-së për sa i përket votës për parti pas zgjedhjeve lokale, dyshja Rama-Meta duket se do të “vallëzojnë” ndryshe.
Rama do ta ketë më të vështirë të administrojë një aleat në zgjerim siç është Meta duke marrë parasysh edhe qasjen e këtij të fundit në raport me pushtetin. Zgjedhjet lokale dhanë deri diku një fotografi të gjendjes së koalicioneve dhe partive dhe rëndom ka pritshmëri që mbështetja publike të pasqyrohete dhe në qeveri. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Panorama”, Ilir Meta theksoi se i përket kryeministrit Rama që të ndërmarrë hapa në drejtim të ndryshimeve në kabinetin qeveritar, megjithatë shtoi ai, LSI i qendron faktit se duhet ecur më shpejt.
“Kjo është një pyetje që i duhet drejtuar kryeministrit Rama. Është ai që e ndjen më shumë se kushdo tjetër nevojën për ndryshime. Për ne, është e rendësishme që qeveria të ecë më shpejt në rrugën e përmbushjes së objektivave të saj dhe njëkohësisht të ndjekim me kujdes krizën greke, e cila me sa duket pritet të ketë impaktet e veta edhe tek vendet partnere siç është Shqipëria”, – tha Meta.
Është herët për të folur për ndryshime të mundshme në qeverisje, megjithatë zor se Meta do ta lerë t’i ikë ky shanc për të zgjeruar territorin e tij në tortën e pushtetit.