Meta: Franca, partner i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës z. Harlem Desir të cilit i shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit.

Duke vënë në dukje bashkëpunimin shumë të mirë ndërparlamentar mes dy vendeve, z. Meta theksoi se Franca është një partner shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë dhe në këtë drejtim inkurajohet rritja e bashkëpunimit të gjithanshëm, veçanërisht në drejtim të investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.

Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës z. Harlem Desir u shpreh se vizita e tij në Tiranë lidhet ngushtë me rikonfirmimin e mbështetjes së plotë të Francës për integrimin evropian të Shqipërisë duke theksuar se Franca është e vendosur të mos lejojë lodhjen nga zgjerimi të pengojë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Z. Meta nënvizoi se pas reformës administrative territoriale Shqipëria është e vendosur të avancojë me reformën në drejtësi, e cila lidhet më të gjitha prioritetet kyçe të BE-së. Në këtë kuadër, ne vlerësojmë vizionin e pandryshueshëm të Francës për një Evropë solidare dhe të hapur, u shpreh Kryetari i Kuvendit.

Në përfundim z. Meta dhe z. Desir diskutuan edhe për zhvillimet në rajon, ku Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës vlerësoi rolin konstruktiv e të rëndësishëm që Shqipëria luan për forcimin e stabilitetit rajonal.

SHKARKO APP