Meta-Grasso: Një Itali e fortë, edhe një Shqipëri më e fortë

 

Në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta, u prit sot në Romë nga Presidenti i Senatit të Italisë z. Pietro Grasso me të cilin diskutuan mbi forcimin e marrëdhënieve ndërparlamentare dhe zhvillimeve në rajon.

Kryetari i Kuvendit, pasi vlerësoi rëndësinë e partneritetit strategjik dhe marrëdhëniet tradicionale mes Shqipërisë dhe Italisë, vuri në dukje se ka ardhur koha që të dy vendet të rrisin cilësinë e bashkëpunimit mes tyre në një nivel më të lartë, veçanërisht në sektorë strategjikë të ekonomisë, si sistemi bankar, energji dhe infrastrukturë. Në këtë kuadër u vlerësua projekti TAP si një ndërmarrje tepër pozitive me efekte multi-rajonale për të dy vendet si dhe potencialet investuese në sektorë të tjerë të rëndësishëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë takimit, z. Meta dhe z. Grasso theksuan se projekti TAP do të rrisë bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe rajonit të Pulias dhe se ky projekt është me rëndësi strategjike për sigurinë energjetike.

Swiss Digital Mobile Reklama

Z. Meta u shpreh se Italia është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Shqipërisë dhe se forcimi i Italisë dhe rimëkëmbja e saj ekonomike është jetike edhe për zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik të Shqipërisë. “Një Itali e fortë, nënvizoi z. Meta, do të thotë edhe një Shqipëri më e fortë”.

Kurse Presidenti i Senatit të Italisë, z. Grasso theksoi hapat e rëndësishëm që ka ndërmarrë Shqipëria dhe avancimin e saj në arenën ndërkombëtare, si një vend anëtar i NATO-s dhe Kandidat për në BE. Me tej, z. Grasso nënvizoi se raportet e ngushta italo-shqiptare po vijnë duke u forcuar në të gjitha fushat, por mundësitë për të rritur cilësisht këtë bashkëpunim janë të mëdha, veçanërisht në ekonomi.

Ai theksoi edhe bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes dy parlamenteve, të cilat janë mekanizma institucional tepër të rëndësishëm për të avancuar axhendën e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes reciprok, ku rol të rëndësishëm mund të luajnë dhe grupet e miqësisë ndërparlamentare mes dy vendeve.

Duke diskutuar mbi ecurinë e procesit të integrimit ne BE, z. Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fuqishme italiane në vite dhe vuri në dukje se Shqipëria është e angazhuar seriozisht në axhendën e integrimit europian duke fokusuar përpjekjet në përmbylljen e reformës në fushën e drejtësisë, e cila do të hapë rrugën për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE.

Në këtë kuadër, Presidenti Grasso theksoi se Italia shpreson në një reformë substanciale të sistemit të drejtësisë shqiptare duke dëshiruar dhe mbështetur fort hapjen e negociatave për anëtarësim sepse Italia ka lidhje të forta me Shqipërinë. “Vlerësoj peshën dhe rolin e Shqipërisë në Ballkan, u shpreh z. Grasso, dhe ne jemi gjithnjë të gatshëm t’ju ndihmojmë të avanconi edhe më shpejt në rrugën tuaj evropiane, sepse besojmë se me reformat e duhura, i gjithë Ballkani e ka vendin e tij të sigurt në Bashkimin Evropian”. Në këtë kontekst, z. Grasso theksoi dhe kontributin e vendit të tij në bashkëpunimin trilateral mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë.

“Jam vërtetë i lumtur që i ritheksova Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta ndjenjat e miqësisë dhe solidaritetit italian dhe të dy parlamenteve tona, që të mund të bashkëpunojnë shumë më mirë dhe të ndërtojmë atë të ardhme miqësore dhe solidariteti që dëshirojmë të gjithë”, – tha z. Grasso.

Z. Meta vlerësoi kontributin e Italisë në shërbim të stabilitetit rajonal dhe në këtë drejtim theksoi se Shqipëria si një vend me peshë të veçantë në rajon është e gatshme ta intensifikojë bashkëpunimin me Italinë kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe trafiqeve të paligjshme.

Në përfundim, z. Meta dhe z. Grasso vlerësuan lidhjet e forta të miqësisë tradicionale mes dy vendeve, duke sjellë në kujtesë kontributin e komunitetit të mirë-integruar shqiptar në Itali dhe atë të komunitetit gjithnjë në rritje italian në Shqipëri.

“Me Presidentin Grasso kemi konfirmuar edhe një herë vullnetin e vendosur për të ecur drejt konkretizimit të mëtejshëm të partneriteti strategjik midis Italisë dhe Shqipërisë. Dhe në këtë drejtim Senati Italian, nën drejtimin e presidentit Grasso, luan një rol të rëndësishëm dhe ne besojmë shumë që këto shkëmbime ndërparlamentare do të kontribuojnë për forcimin e raporteve të shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe dy popujve tonë”, – tha z. Meta në përfundim të takimit. 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?