Meta: Hetimet për aferën e inceneratorëve kanë ecur me hapin e breshkës, vjedhja me vrapin e kangurit
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, gjatë ditës së sotme mbajti një konferencë për shtyp, ku tha se hetimet për aferën e inceneratorëve janë duke u zvarritur.
Në Facebook, Meta ka publikuar videon nga deklarata e tij dhënë sot për mediat, duke theksuar se vjedhjet vazhdojnë me vrapin e kangurit. Meta thotë se Partia e Lirisë denoncimet për këtë aferë i kanë bërë me dokumente zyrtare.
“Që kur ka nisur denoncimi i kësaj afere edhe nga ish-LSI dhe sot Partia e Lirisë edhe nga unë si President që para zgjedhjeve të 25 prillit, ne kemi dalë vetëm me fakte dhe dokumente zyrtare, vetëm me firma, vetëm me numra llogarie. Hetimet kanë ecur me hapin e breshkës, ndërkohë që vjedhja vazhdon me hapin e kangurit”.