Meta homazhe në 175-vjetorin e lindjes së poetit kombëtar Naim Frashëri: Frymëzues i krenarisë dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve
Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një postimi në “Facebook” ka publikuar foto nga homazhet në nder të poetit kombëtar të shqiptarëve, Naim Frashëri.
Meta thekson se Naim Frashëri është frymëzues i krenarisë dhe vetëdijes kombëtare të shqiptarëve.
Postimi i presidentit Ilir Meta:
Në përkujtim të 175-vjetorit të Tij të lindjes, përulem sot me nderim dhe mirënjohjen më të thellë para veprës së ndritur të poetit, mendimtarit dhe atdhetarit të shquar të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, frymëzuesit të madh dhe të përhershëm të krenarisë, dinjitetit dhe të vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, i cili gjithë jetën e Tij ja përkushtoi lirisë së popullit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, duke mbrojtur gjuhën, kulturën dhe promovuar historinë e identitetin tonë europian.
Duke zgjedhur penën si armë për luftën e Tij të jashtëzakonshme patriotike, vargjet e Naimit vijnë aktuale në çdo kohë si udhërrëfyes patriotik për mbarë kombin shqiptar në mbrojtje të Atdheut, gjuhës dhe trashëgimisë tonë kulturore e historike.
Pavarësia e Shqipërisë është padyshim edhe fryt i angazhimit patriotik të plejadës së rilindësve shqiptarë, tre ndër më të shquarit e të cilëve kanë qenë padyshim Abdyli, Naimi dhe Sami Frashëri.
Nuk ka provë më bindëse, se sa aktualiteti i veprës së tyre në rrugën tonë drejt integrimit europian. 🇦🇱