Meta homazhe për ish-Presidentin Bujar Nishani: Ishte Presidenti më shtetar i këtyre tre dekadave!
Kreu i Shtetit, Ilir Meta, ka zhvilluar homazhe për nder të ish-Presidentit Bujar Nishani, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në Gjermani.
Meta tha për mediat se Nishani ishte një politikan dhe një shtetar i përgjegjshëm.
“Ai nuk ishte vetëm një bashkëshort dhe prind shembullor, por pa asnjë diskutim, ishte një nga politikanët, shtetarët më të përgjegjshëm dhe më seriozë të këtyre dekadave. Ai në çdo detyrë politike dhe shtetërore shkëlqeu me korrektësinë dhe me integritetin e tij, me principalitetin dhe konstruktivitetin që e karakterizonte, në çdo detyrë. Në mënyrë të veçantë dhe atë të presidentit, ishte një mbrojtës i shkëlqyer i interesit kombëtar, interesit publik dhe i demokracisë.
Ai lë pas një trashëgimi shumë pozitive dhe një kujtim të paharruar për të gjithë ata të cilëve u shërbeu me përkushtim, besnikëri, edhe për të gjithë ata që patën një mundësi ta njihnin më pranë dhe të njihnin virtytet më të mira që ai mishëronte në personalitetin e tij human”, tha Meta.