Meta: Investoni në bujqësi, suksesi i garantuar
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti dhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ishin të pranishëm në Lushnje, ku morrrën pjesë në përurimin e një kooperative për prodhimin e luleshtrydhes.
Ministri Panariti ka premtuar rritje të mbështetjes së qeverisë për bujqësinë, me qëllim intensifikimin e prodhimit dhe eksportin e tij.
“Qeveria do t’i japë nxitje sektorit të bujqësisë dhe do t’u kushtojë më shumë vëmendje fermerëve në gjithë vendin. Ata do të përfitojnë 6.1 milionë euro grante”, tha Panariti.
Ai shtoi se një fokus të veçantë do t’i kushtohet produkteve bio, eksporti i të cilave sipas tij do ta kthejë bujqësinë në motor të ekonomisë shqiptare.
Kryetari i Kuvendit Meta ka vlerësuar se kultura e prodhimit të luleshtrydhes do të krijojë rreth 2 mijë vende pune në zonë e Lushnjes, ndërsa do të sjellë fitime të sigurta.
Në këtë kuadër Meta i ka drejtuar një apel investitorëve që të investojnë në bujqësi, pasi ky sektor garanton sukses.
Sipas tij, qëllimi i këtij prodhimi do të jetë eksporti i luleshtrydhes shqiptare, e cila bashkë me produktet e tjera vendase duhet të shumëfishojë praninë e saj në tregjet evropiane.
Në këtë drejtim, Kryetari i Kuvendit ka nënvizuar se është e nevojshme një asistencë e posaçme, për të njohur sa më mirë tregun ndërkombëtar.
“Alba Fragola ka mbjellë një sipërfaqe toke prej 5 hektarësh me luleshtrydhe, proces që përfundoi me sukses. Ndërkohë që kërkesa është e jashtëzakonshme dhe sfida është pas këtij suksesi. Ky sektor ka nevojë për modele të tilla, për ti dhënë fund fragmentimit.
Ndaj jemi në rrugën e duhur për të rilindur bujqësinë dhe blegtorinë dhe industrinë ushqimore. Të gjithë bashkë do realizojmë një transformim më të mirë dhe dinjitoz në këtë sektor”, tha Meta.