Meta: Jam i bindur se reforma në drejtësi do miratohet

“Jam i bindur se reforma do të miratohet për arsye se të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin për përmbushjen e reformës. Së dyti të gjithë kanë rënë dakord që standardet evropiane të kësaj reforme i përcakton Komisioni i Venecias, i gjithëpranuar nga të gjithë dhe ky komision ka folur mjaft qartë për të gjitha çështjet ndaj të cilave janë kërkuar sqarime, interpretim, opinione, apo vlerësime”. Kështu u shpreh sot kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nga Gjirokastra, teksa uroi fillimisht për festën e Ditës së Verës.

“Sot është Dita e Verës dhe ishte një kënaqësi për të festuar me të rinjtë dhe të rejat e Gjirokastrës. Dita e verës, që simbolizon një shpresë, një ripërtëritje dhe shpresa më e madhe në këtë vend është rinia. Sa më shumë të rinj të bashkuar, të motivuar të talentuar të kemi, aq më e madhe është shpresa, aq më e madhe është fuqia për të përballuar të gjitha sfidat me të cilat vendi ynë ndeshet”, tha ai.

***

Swiss Digital Desktop Reklama

Ja prononcimi i plotë i z. Ilir Meta:

Swiss Digital Mobile Reklama

Meta, refugjatët sirianë duket se janë afruar gjithnjë e më shumë kufirit shqiptar dhe duket se vete qeveria greke po i shtyn ata drejt Shqipërisë, teksa po i sjell sa më afër kufirit tonë. Cili do të jetë qëndrimi i qeverisë nëse fluksi i tyre do të vërshojë drejt nesh? Do të hapen kufijtë dhe a është e gatshme Shqipëria në aspektin e infrastrukturës për t’i mirëpritur ata?

Mendoj se zgjidhja kryesore lidhur me krizën e refugjatëve nuk është thjesht përballimi dhe pasojat e krizës, por është përqendrimi i BE-së, i SHBA-ve dhe i aktorëve të tjerë të rëndësishëm, për t’i dhënë fund konfliktit në Siri dhe vatrave të konfliktit edhe në zona të tjera, nga ku kemi aktualisht burimin e krizës, por edhe burimin e refugjatëve që duan t’i largohen luftës. Përsa i takon përballimit të kësaj krize, sigurisht që Shqipëria si një vend demokratik por edhe si pjesë e komunitetit euro-atlantik dhe atij europian në ndarjen e vlerave, jam i bindur do të japë kontributin e saj për aq sa i ka mundësitë dhe kapacitetet e saj.

 

Para disa ditësh z. Majko tha se do t’i propozojë Partisë Socialiste zgjedhje të parakohshme nëse reforma në drejtësi nuk do të realizohet. Cili është komenti juaj në lidhje me deklaratën e z. Majko?

Jam i bindur se reforma do të miratohet për arsye se të gjitha forcat politike kanë shprehur vullnetin për përmbushjen e reformës. Së dyti të gjithë kanë rënë dakord që standardet evropiane të kësaj reforme i përcakton Komisioni i Venecias, i gjithëpranuar nga të gjithë dhe ky komision ka folur mjaft qartë për të gjitha çështjet ndaj të cilave janë kërkuar sqarime, interpretim, opinione, apo vlerësime.

Padyshim që jam i sigurt se përveç vullnetit të përbashkët të gjithë forcave politike për të interpretuar këto rekomandime në mënyrë objektive dhe të paanshme, pra jashtë interesave të ngushta partiake, kam theksuar që për çështje ku do të ketë dallime të caktuara, ne përsëri kemi fatin që kemi EURALIUS-in, misionin e BE-së dhe OPDAT-in, atë të SHBA-ve, të cilët kanë kontribuuar që nga fillimi në asistimin e kësaj reforme dhe mund të jenë përsëri dy misione të cilat përbëjnë përsëri referencën e përbashkët dhe konsensuale për ato çështje ku ende ka disa lexime të ndryshme.

Por Komisioni i Venecias mendoj se i ka zvogëluar jashtëzakonisht dallimet dhe diferencat kështu që ka vend për optimizëm natyrisht të përmbajtur, por mbi të gjitha për përgjegjshmëri dhe konstruktivitet për të arritur një tekst përfundimtar të dakordësuar për ndryshimet kushtetuese përpara se Komisioneri për Zgjerimin, z. Hahn të vijë në Tiranë në fund të këtij muaji.

 

Dita e Verës në Gjirokastër

Ditën e Verës kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta zgjodhi ta festojë në Gjirokastër, në një aktivitet të organizuar nga të rinjtë e kësaj force politike.

I shoqëruar nga deputeti Vangjel Tavo dhe kryebashkiakja Zamira Rami, Meta tha në një fjalë përshëndetëse se janë të rinjtë që talentin e tyre mund të marrin në duar fatin vendit, duke e parë të ardhmen e tyre në Shqipëri.  “Duhet të kemi më shumë të rinj dhe të reja të motivuar këtu në Gjirokastër, duhet të kemi më shumë të rinj e të reja të talentuar si këtu në Gjirokastër. Duhet të kemi më shumë të rinj dhe të reja solidarë dhe të bashkuar si këtu në Gjirokastër, sepse rinia mbetet fuqia dhe shpresa më e madhe për të ardhmen e Gjirokastrës dhe të gjithë Shqipërisë”, – u shpreh Meta.

Të rinjtë e këtij qyteti kishin menduar një dhuratë të veçantë për kryetarin Meta, LRI të gdhendur në një punim me dru, ndërsa nuk munguan edhe selfiet që kryeparlamentari bëri me fëmijët.

img-9646

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?