Meta jep sinjale afrimi. Pse PD-ja vazhdon ta godasë dhe ofrohet me PS?

 

PD-ja po  kerkon te ofrohet  perdite e me teper me PS. A e ben per te krijuar percarje ne mazhorance apo eshte strategji per te demtuar LSI, kjo ende nuk dihet. Nga selia roze nuk ka asnje deklarate qe te thote se nuk e pranoj nje bashkeqeverisje me PD.

Nga ana tjeter  Ilir Meta mundohet të japë sinjale afrimi me PD-në, por në këmbim ai merr vetëm shuplaka nga PD. Kështu ka ndodhur edhe gjatë ditëve të fundit. Mëse njëherë kreu i kuvendit është munduar rolin e atij që qëndron në mes të palëve. Jo vetëm me batutat e rimara gjërësisht nga shtypi se këto ditë vape nuk e kanë ngrohur me Ramën, por edhe me qëndrime konkrete. Fillimisht ai e sulmoi qeverinë për taksat duke pranuar një gjë që gjithkush e ka të vështirë ta pohojë në mazhorancë: Që ato nuk po krijojnë punësim. Një deklaratë e fortë e Ilir Metës ishte edhe ajo që i përgjigjej kryeministrit dhe ambasadores së BE-së në Tiranë Romana Vlahutin kur thoshte se reforma në drejtësi mund të bëhet edhe pa opozitën. Sërish kreu i LSI-së e mohoi kategorikisht këtë opsion.

Por pavarësisht nga këto qëndrime, askush nga demokratët nuk është treguar më i butë me të. Numri dy i kësaj partie Arben Ristani e fshikulloi keq sapo Meta bëri deklaratën për taksat. “Ironi e gushtit kjo kur flet për taksat abuzuesi më i madh i fondeve publike, shpërdoruesi më i madh i taksave në vend” deklaroi Ristani. Përpara tij një gjuhë të ngjashme përdori edhe shefi i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka. Me të folurën e tij karakteristike Paloka, mohoi cdo koalicion me LSI-në duke pohuar se demokratët nuk e shohin dot me sy partinë e vogël të majtë. “LSI absolutisht është partia që më shumë se kushdo tjetër ka dëmtuar votën e lirë dhe demokracinë shqiptare. Kështu që nuk besoj se dikush duhet të ketë iluzionin që PD do të bashkëpunojë me LSI-në, si një parti që është damkosur tashmë si armike e votës së lirë” tha ai.

Kursi i PD ka pësuar një kthesë të fortë që pas incidentit të Tom Doshit kur kjo parti filloi ti vërë të gjitha bateritë e saj politike kundër Ilir Metës. Vetë Lulzim Basha, gjatë një emisioni “Opinion” në mars të këtij viti e përcaktoi këtë kurs duke deklaruar : “Nën drejtimin tim PD-ja nuk do të bëjë më kurrë koalicion me LSI-në e Ilir Metës”.  

Prandaj duket sikur shenjat e afrimit të Metës mbeten në erë. Për momentin më shumë sesa sinjale afrimi me PD-në që nuk përgjigjet, ato ngjajnë me shantazhe meskine kundër partnerit te koalicionit. 

SHKARKO APP