Meta: Kandidatët të distancohen nga cënimi i votës

 

Kreu i LSI-së Ilir Meta në prag të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, ka vënë theksin tek respektimi i domosdoshëm i votës.  Meta ka bërë thirrje për distancim nga çdo fenomen negativ që cënon integritetin e votës qytetare dhe denoncim të çdo fenomeni të tillë.

“Respekti i çdo vote të çdo qytetari është më i rëndësishëm edhe se rezultati i asaj vote. Nga ky proces do fitojnë të gjithë forcat politike, qytetarët dhe imazhi i vendit. Distancohuni nga çdo fenomen negativ që cënon integritetin e votës të qytetarëve. Të denoncojmë çdo fenomen abuzimi me votën e qytetarëve dhe çdo fenomen korruptimi shitblerje të votës. Shpresoj që dhe vet qytetarët të jenë të ndërgjegjshëm në këtë proces. Jam i bindur se fryma e bashkëpunimit që kemi treguar në raport me PS si forca kryesore e koalicionit dhe gjithë partitë e tjera do tregohet edhe gjatë fushatës.”- u shpreh Meta.

Këto deklarata Meta i bëri në mbledhjen e kryesisë së LSI-së, ku ndër të tjera vlerësoi edhe numrin e shtuar të kandidateve femra, ku tha se për herë të parë janë shpallur lista me barazi gjinore.

“ Jam i sigurt se në 61 bashkitë e vendit do punojmë në të njëjtën mënyrë, vetëm me një dallim kur kandidatet do jenë zonja angazhimi do jetë më i madh. Të gjitha ato e meritojnë për të fituar mjafton fakti që kanë treguar vullnet për të hyrë në këtë garë.”- u shpreh ai.

Meta më tej ka theksuar se  reformën e re administrativo-territoriale, do ta shkëpusë pushtetin vendor nga varësia politike.

Reforma territoriale do të sjellë një qetësi të re dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Për herë të parë pushteti vendor do të jetë real, konkret dhe krijues për t'i sjellë zhvillim komuniteteve”,  deklaroi Meta.

SHKARKO APP