Presidenti Meta: Basha të votëbesohet, sikurse një kryeministër kur humbet mazhorancën në grupin parlamentar shkon në votbesim
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta thotë se prej kohësh po kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm. Nisur nga protesta e së shtunës, ai tha në “Tv 21” në Mqedoninë e Veriut, që Lulzim Basha të votëbesohet si kryetar i PD.
“Është gjëja më normale që kur një kryetar kontestohet, ai duhet t’i nënshtrohet një procesi votëbesimi. Duhet të tregojë apo të konfirmojë legjitimitetin e tij, ashtu sikurse një kryeministër, të cilin e kundërshton një pjesë e grupit parlamentar që e ka votuar, që e ka zgjedhur, është i detyruar të rikonfirmohet.
Prej kohësh kërkohet një konfrontim artificial dhe i përgjakshëm. Kjo gjë u kërkua kur u dogjën mandatet dhe ju e mbani mend se ishte ndërhyrja ime për të shmangur zgjedhjet e njëanshme partiake vendore, dhe për të caktuar një datë gjithëpërfshirëse ku të merrnin pjesë të gjitha forcat politike, ishte sepse qenë shfaqur mjaft tensione të pakontrollueshme dhe ju i keni parë ato shfaqjet e paarsyeshme të dhunës dhe premtimet se do të bllokoheshin zgjedhjet, votuesit.
Besoj se ka qenë një nga aktet për të cilat unë jam krenar që kam ndërmarrë, sepse kam shmangur një dhunë, kam shmangur një përgjakje mes shqiptarëve, e cila nuk do të ndodhte rastësisht. Duhet të kemi parasysh që ishte kulmi i intensitetit të ndarjes së kufijve“, tha Meta.