Meta: Koha që shteti të veprojë kundër vrasësve të Ibrahim Bashës
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në homazhet për nder të Ibrahim Basha, efektivit të RENEA-s që humbi jetën në Lazarat të Gjirokastrës.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Pallatit të Brigadave, ku merrnin pjesë krerët më të larta të shtetit dhe anëtarë të trupit diplomatik në vend, z. Meta shprehu dhimbjen dhe solidaritetin më të thellë e më të sinqertë prindërve, familjarëve, shokëve, miqve dhe kolegëve të Ibrahimit, heroit më të ri të atdheut tonë që u qëllua pabesisht në një pritë banditësh.
“Ibrahim Basha kreu me nder dhe profesionalizëm detyrën e tij ndaj atdheut. Me rënien në krye të detyrës meritoi lavdinë dhe nderimin tonë më thellë dhe të përjetshëm. Ibrahim Basha, dëshmor i atdheut, ti dhe kolegët e tu në Forcat e Armatosura na keni bërë krenarë me shërbimet që keni kryer në misionet e paqes dhe të luftës kundër terrorizmit në Afganistan, Irak e kudogjetkë, krah për krah me aleatët tanë më të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s”, – tha z. Meta.
Kryetari i Kuvendit vlerësoi sakrificën e Ibrahim Bashës dhe kolegëve të tij në Policinë e Shtetit në përballjen me krimin dhe kriminelët për ta nxjerrë Shqipërinë nga harta e trafiqeve dhe për të garantuar rendin publik.
“Mirënjohje dhe respekt Ibrahim Basha. Mirënjohje dhe respekt për jetën dhe sakrificën tënde. Fatkeqësisht terrorizmi të goditi pabesisht dhe pas shpine, duke të ndarë nga njerëzit e tu të dashur, familja kolegët dhe shokët. Duke të këputur në mes 31 vitet e jetës tënde të shkurtër, por të jetuar me dinjitet, nderim ndaj flamurit dhe atdheut, përkushtim ndaj betimit dhe detyrës. Duke shtuar në mënyrë të dhimbshme listën e të rënë në krye të detyrës dhe në shërbim të atdheut”, – theksoi z. Meta, duke shtuar se tani është përgjegjësia jonë e shtetit, institucioneve dhe e gjithë shoqërisë që të kryejnë detyrën dhe të të vendosin drejtësi për Ibrahimin dhe gjithë dëshmorët e rënë.
“Ibrahim Basha, ti e kreve detyrën tënde. Është përgjegjësia jonë, e shtetit, e institucioneve dhe e gjithë shoqërisë që të kryejnë detyrën tonë. Të vendosim drejtësi për Ibrahimin dhe gjithë dëshmorët e rënë. Është sakrifica e tyre sublime që kërkon drejtësi, rend dhe ligj. Është kjo sakrificë sublime që kërkon nga të gjithë ne dhe gjithë shoqëria të jemi në mbështetje të plotë të shokëve dhe kolegëve të Ibrahimit, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm rrezikojnë jetët e tyre për të bërë të sigurt jetën e qytetarëve dhe fëmijëve tanë. Është kjo sakrificë sublime që kërkon nga ne të konsolidojmë më tej shtetin ligjor, dhe të garantojmë një shoqëri të drejtë”, – vijoi z. Ilir Meta.
Në fund të fjalës së tij, Kryetari i Kuvendit u shpreh se kjo sakrificë sublime është një nxitje e madhe dhe një arsye më shumë, për të vazhduar me më shumë forcë dhe vendosmëri, rrugën e gjatë të forcimit të shtetit të së drejtës, thellimit të reformimit të trupës policore dhe gjithë sistemit të drejtësisë në vend.
“Është kjo sakrificë sublime, një nxitje e madhe dhe një arsye më shumë, për të vazhduar me më shumë forcë dhe vendosmëri, rrugën e gjatë të forcimit të shtetit të së drejtës, thellimit të reformimit të trupës policore dhe gjithë sistemit të drejtësisë në vend. Vepra e Ibrahim Bashës është lavdia e tij dhe detyrimi ynë për të garantuar më shumë drejtësi, më shumë përgjegjësi dhe përgjegjshmëri. Ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të rëndë. I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i heroit më të ri të atdheut tonë, Ibrahim Basha!”, – deklaroi Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta.
KOHA JONË SONDAZH

