Meta-Lajçak: Perspektivë evropiane për vendet e rajonit

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme e të Çështjeve Evropiane të Sllovakisë z. Miroslav Lajcak me të cilin vlerësuan intensifikimin substancial të marrëdhënieve dypalëshe gjatë viteve të fundit.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta i shprehu Zv. Kryeministrit dhe Ministrin të Punëve të Jashtme z. Miroslav Lajcak mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme dhe interesin që Sllovakia tregon ndaj zhvillimeve dhe procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit, duke theksuar se Sllovakia si një histori suksesi shërben si një model për vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme e të Çështjeve Evropiane të Sllovakisë z. Miroslav Lajcak vlerësoi rritjen e cilësisë dhe nivelit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Sllovakisë dhe shprehu mbështetjen e plotë për përshpejtimin e axhendës evropiane të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Kryetari Meta dhe Zv. Kryeministri Lajcak biseduan gjithashtu mbi intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh duke vënë në dukje rolin e rëndësishëm të të dy parlamenteve, veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit mes dy administratave, komisioneve dhe grupeve të miqësisë parlamentare.

Në përfundim z. Meta dhe z. Lajcak biseduan mbi zhvillimet e fundit në rajon, dhe ndanë bindjen e përbashkët se duke marrë në konsideratë sfidat e fundit globale, avancimi i axhendës euro-atlantike të të gjitha vendeve të rajonit do t’i shërbejë forcimit të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit të të gjithë hapësirës evropiane. 

SHKARKO APP