Meta: LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit

Në kuadër të fushatës zgjedhore për Kryetarin e ri të LSI-së dhe të Konventës Kombëtare, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta zhvilloi një takim me strukturat e kësaj force politike në Lushnjë. Në këtë takim Meta shoqërohej nga zv/kryetari i LSI-së  Petrit Vasili dhe deputetët  Kejdi Mehmetaj e Robert Bitri.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim ftoi të gjithë përfaqësuesit e kësaj force politike që të angazhohen maksimalisht në këtë moment të rëndësishëm të riorganizimit në të gjithë vendin.

“Do të doja t’i ftoja të gjithë përfaqësuesit e LSI-së së Lushnjës për të vlerësuar sa më seriozisht këtë moment riorganizimi dhe ripërtëritje të LSI-së në të gjithë vendin, në prag edhe të zgjedhjeve të 6 nëntorit, jo vetëm për kryetarin e LSI-së, por edhe për delegatët për në Konventën Zgjedhore Kombëtare të LSI-së, që do të zgjedhë gjithashtu të gjithë drejtuesit e rinj të LSI për katër vitet që vijnë. Dhe njëkohësisht do të diskutojë dhe çështjet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me programim, me angazhimin tonë të deritanishëm në qeverisjen e vendit, por edhe për të ardhmen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e ardhme e cila është e lidhur ngushtë edhe me mbarëvajtjen e të gjithë punëve në vendin tonë”, – tha Meta.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryetari i LSI-së, Meta theksoi se pa stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Pa stabilitet politik nuk ka dhe nuk mund të ketë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të vendit. Nuk mund të ekzistojë shtrati dhe terreni i qëndrueshëm për të çuar përpara reforma, që përmirësojnë jetën dhe standardet e qytetarëve tanë kudo. Prandaj LSI-ja, në mënyrë të qartë ka qenë refuzuese ndaj çdo retorike konfliktuale të panevojshme. Sepse kanë kaluar 26 vjet dhe vendi nuk ka më nevojë për një politikë përjashtuese, por ka nevojë për një politikë bashkëpunuese, politikë që nuk bazohet tek demonizimi i kundërshtarit, por te vetë humanizimi i politikës. Tek angazhimi i saj për të zgjidhur çështje konkrete, çështje të cilat shqetësojnë një komunitet, shqetësojnë një lagje qyteti, një fshat apo çështje që shqetësojnë qoftë edhe një qytetar që ka nevojë për përkrahjen dhe për vëmendjen e politikës”, – tha  Meta

Kryetari i LSI-së renditi një sërë reformash të rëndësishme që janë miratuar së fundmi. Z. Meta vlerësoi se është shumë e rëndësishme jo vetëm që të bëhen reforma, por ka shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të tyre.

“Gjatë kësaj kohe janë bërë reforma të rëndësishme si reforma administrative-territoriale, është vendosur themeli kryesor i reformës në drejtësi, që është Kushtetuta e re e vendit e miratuar me konsensus. Janë bërë reforma të tjera në shumë fusha të rëndësishme. Ato kanë dhënë një impakt, pritet të japin mpakte më të prekshme në të ardhmen. Por nga eksperienca e deritanishme del qartë që është shumë e rëndësishme jo vetëm të bëjmë reforma, por ka shumë rëndësi dhe mënyra e konceptimit dhe mbi të gjitha e zbatimit të tyre. Që do të thotë se një reformë është e suksesshme dhe është jetëgjatë kur ajo prodhon efektet maksimale, pozitive në interes të shoqërisë, komunitetit apo të kategorisë sociale, pra të grupeve të interesit”, – u shpreh  Meta.

Gjithashtu, Kryetari i LSI-së deklaroi se rritja e LSI-së është një fenomen i pandalshëm që u tregua qartë në zgjedhjet e 2013 dhe që do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Meta u shpreh se LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin e gjithë vendit.

“LSI është forca më e dedikuar për stabilitetin e vendit, sepse pa stabilitet nuk ka asnjë garanci për zhvillimin e gjithë vendit. Kjo është detyrë e të gjithëve që ta rrisim këtë forcë dhe jo vetëm ta rrisim por edhe të përmirësojmë më tek cilësinë e përfaqësimit të saj kudo, sepse është shpresa më e madhe për përgjegjshmëri në këtë vend, për llogaridhënie dhe për reflektim”, – tha ndër të tjerash Ilir Meta.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?