Meta mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare: Dënojmë Rusinë, Ukraina është shtet i pavarur dhe sovran
Pas mbledhjes së Këshilit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti Ilir Meta tha se Shqipëria dënon sulmin e Rusisë, duke i quajtur veprimet si shkelje të rëndë ndërkombëtare, dhe shprehu dhembjen për jetët e humbura gjatë këtij sulmi.
”Me këtë rast, edhe një herë, dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, shtet i pavarur dhe sovran. Ky përshkallëzim i paprovokuar dhe i pajustifikueshëm përbën shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare, Kartës së OKB, Marrëveshjes së Minskut, Memorandumit të Budapestit, dhe minon sigurinë dhe paqen në mbarë Europën”.
Ai iu bashkua thirrjeve të aleatëve ndaj Rusisë për të braktisur dhunën dhe agresionin, të respektojë të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe të kthehet në rrugën e dialogut.
“Shqipëria qëndron në unison me NATO dhe BE, dhe do të zbatojë të gjitha angazhimet e mara në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së përbashkët. Bashkë me Aleancën dhe Bashkimin Europian do të qëndrojmë të palëkundur në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe demokracisë”.
Të pranishëm në mbledhje ishin Zv.kryeministri, Arben Ahmetaj, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, zv.ministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici, zv.ministrja e Jashtme, Megi Fino, Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme, Gledis Nano, drejtori i SHISH-it, Helidon Brendo, Nasip Naco, kryetar i Komisionit të Sigurisë, dhe guvernatori Gent Sejko.