Meta: Media, përmirëson komunikimin mes popujve
Asambleja e 25-të e Agjencive të Lajmeve të vendeve të Detit Mesdhe (AMAN) çeli sot punimet në Tiranë, ndërsa në fokus të diskutimeve është media dhe turizmi.
Gjatë punimeve të Asamblesë, drejtues dhe përfaqësues të agjencive të lajmeve, zyrtare dhe publike, nga 22 vende, do të diskutojnë për ndjeshmëritë dhe rolin që duhet të luajnë këto institucione të rëndësishme mediatike për promovimin e turizmit në këtë rajon dhe sfidat në periudhën aktuale.
Të pranishëm për të përshëndetur punimet e kësaj Asambleje janë Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e Ekonomisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi etj.
Në fillim të fjalës së tij, kreu i Kuvendit foli për punimet e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që zhvilloi punimet në Tiranë, një eveniment mjaft i rëndësishëm, tha ai, ku një çështje e vazhdueshme ishte situata në rajonin tonë të Mesdheut dhe evidentimi i ndryshimeve që kanë ndodhur në mjedisin strategjik të sigurisë në këtë rajon
“Nuk mund të mos flasim për këto çështje kaq të mprehta, të cilat nuk rrezikojnë vetëm industrinë e turizmit,- tha Meta, -dhe që në mjaft nga këto vende dikur mjaft atraktive për turistët nga rajoni ynë dhe gjithë bota, tashmë janë dëmtuar në mënyrë mjaft serioze, ndërkohë që dhe imazhi i tyre dhe vendeve rreth tyre është po ashtu një faktor dekurajues për nxitjen dhe zhvillimin e turizmit”.
“Sot kur bota po përjeton procesin e globalizimit, konkurenca nuk është e përqenduar më mes vendeve fqinje, por është duke u zhvilluar midis rajoneve më të mëdha dhe në këtë kuptim ne duhet ta konsiderojmë dhe Mesdheun si një rajon të përbashkët, ku fryma e bashkëpunimit dhe mirëkuptimi dhe mediat kanë një rol të jashtëzakonshëm”, shtoi Meta.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi po ashtu rëndësinë që ka media për të përmirësuar komunikimin mes popujve.
Ai vlerësoi se vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të turistëve serb në Shqipëri, si dhe theksoi promovimin që i është bërë Shqipërisë në mediat serbe.
“Dua të theksoj rëndësinë që ka media për të përmirësuar klimën dhe perspektivën midis vendeve. Kam qenë mjaft i kënaqur sepse vitet e fundit ka pasur rritje të turistëve serbë dhe ka pasur një reflektim pozitiv në mediat ndërkombëtare të Serbisë, për miqësinë që ofron Shqipëria dhe për turistët serbë dhe klimën miqësore që ata gjejnë këtu”, tha Meta.
KOHA JONË SONDAZH

